Ja marrëveshja që Osmani e Deda kanë propozuar për dalje nga kriza (Dokument)

Ilir Deda dhe Vjosa Osmani në ambientet e Kuvendit të Kosovës kanë paraqitur një propozim marrëveshje për dalje nga kriza politike të cilin do të ja përcjellin liderëve të partive politike në vend.

Deda dhe Osmani, njëri deputet i VV-së dhe tjetra e LDK-së, kanë thënë se idenë e tyre e kanë përkrahur edhe kolegë të tjerë nga Kuvendi i Kosovës.

Më poshtë marrëveshja pesë pikëshe e propozuar prej tyre.

Marrëveshje politike
– Duke pasur parasysh se institucionet e Kosovës përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve të vendit dhe janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe me ligj;
– Duke njohur kontributin dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë në vend për të ndërtuar këto institucione;
– Duke qenë përherë falenderues për mbështetjen e vendeve të botës demokratike për lirinë, paqen dhe në procesin e shtetndërtimit dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës;
– Duke njohur synimin e qytetarëve të Kosovës për integrimin euro-atlantik të vendit dhe reformat e rëndësishme që duhet t’i ndërmerrë vendi ynë në procesin e integrimit evropian;
– Duke e ditur se dhuna, në cfarëdo formë, nuk zgjidhë asnjë problem, por vetëm thellon edhe më shumë ndarjet dhe mospajtimet,
– Me qëllim të zgjidhjes të situatës politike në vend,

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën arrijnë këtë:

MARRËVESHJE

1. Kuvendi i Kosovës do të themelojë një Komisionin hetues të udhëhequr nga opozita për të shqyrtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përbërja e Komisionit do të jetë sipas dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit. Komisioni do të ftojë së paku 5 (pesë) përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë, të cilët e kanë të drejtën e diskutimit dhe të propozimeve në Komision, por nuk kanë të drejtë vote. Mandati i Komisionit është 30 (tridhjetë) ditë, dhe konkluzionet e tij do të merren me konsensus të partive nënshkruese të marrëveshjes dhe do të aprovohen në Kuvend.

2. Kuvendi i Kosovës do t’i zgjedhë 2 (dy) gjyqtarët e radhës në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që vendimi i saj për kushtetutshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë të Komunave me shumicë serbe të bëhet me Gjykatë Kushtetuese të kompletuar. Përzgjedhja e kandidatëve konsensual për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet që të sigurohet paanshmëria, profesionalizmi dhe përkatësia jopartiake, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

3. Pa e paragjykuar vendimin përfundimtar, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidhë dilemat për Asociacionin/Bashkësinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do ti drejtohet Komisionit Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (“Komisioni i Venecias”) për sqarime shtesë.

4. Kjo Marrëveshje nënshkruhet nën mbikqyrjen e Presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend.

5. Kjo marrëveshje do të votohet si Rezolutë e Kuvendit të Kosovës në seancën e rradhës, më së largu 7 (shtatë) ditë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

Hashim Thaçi, kryetar
Partia Demokratike e Kosovës
______________________________
Isa Mustafa, kryetar
Lidhja Demokratike e Kosovës
______________________________
Visar Ymeri, kryetar
Lëvizja VETËVENDOSJE!
______________________________
Ramush Haradinaj, kryetar
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
_______________________________
Fatmir Limaj, kryetar
NISMA për Kosovën
________________________________

- Advertisement -

MË TË FUNDIT