Luhet Paderborn-Bajer Leverkuzen (sot ora 17:30). Për shumë persona, tifozë, futbollistë apo drejtues të stafeve respektive është një ndeshje e radhës me objektivat e veta precize, por jo për Alban Mehën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare do të vihet përballë ishtrajnerit të tij, aktualisht në stolin e “aspirinave”. Nuk bëhet fjalë për një person dosido, por për atë që mesfushori kuqezi e konsideron si shpëtimtarin e karrierës së tij.
Bëhet fjalë për Roxher Shmidin. Ishte pikërisht ky trajner, i cili, katër vite më parë, në një ndeshje të Bundesligës së tretë zbuloi Mehën. “Më 7 maj 2011 Shmid do të ulej në tribunën e stadiumit ‘Mosel’ të Trier. Nuk mbante shënime, thjesht shikonte. Sytë e tij ndiqnin Alban Mehën dhe ajo që pa e bindi menjëherë. Si fillim, mesfushori asokohe tek Eintraht Trier u bë protagonist te goli i parë ndaj SV Elversberg, me një pasim ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi, duke bërë që Shmid ta merrte një vit më vonë menjëherë te Paderborni”, shkruante media gjermane.
Tekniku ndikoi jashtëzakonisht shumë te Meha, aq sa pat tentuar që ta afronte edhe verën e shkuar, kur ai mori drejtimin e Leverkuzenit. “Ai më pa nga afër dhe ishte i vetmi që më tha qartë se unë isha një lojtar që duhet të luaja në Bundesligë. E them me bindje se, pa Roxherin, nuk e di se ku do të isha sot. Kujtoj që një herë më tha: ‘mos u nxito se ke kohë për të treguar kualitetin tënd’. –
Tani që e mendoj, gjykoj se këto gjëra më kanë ndihmuar shumë”, ka thënë dje Meha për “Kicker”. Mesfushori kuqezi ishte vetëm një sezon nën urdhrat e Roxher Shmidit, në 2011-2012, pasi më pas tekniku shkoi në Austri, ku drejtoi Salzburgun, për t’u kthyer në 2014-ën te Leverkuzeni. Më tej, Meha ka folur edhe për rinovimin e kontratës së tij, duke qenë se aktualja i përfundon në qershor të këtij viti.
“E pranoj se këtu te Paderborni ndihem mirë dhe dua që të qëndroj. Natyrisht dua që të luaj edhe sezonin tjetër në elitën e futbollit gjerman, ndaj edhe jam stepur disi për të rinovuar. Megjithatë, në skuadër ka goxha entuziaz- ëm dhe besoj se do të mbijetojmë, natyrisht duke bërë rezultat edhe ndaj skuadrave të tilla si Leverkuzeni, së cilës i morëm një barazim 2-2 në fushën e saj në fazën e parë”, ka thënë Meha.
- Advertisement -