Zvicra dhe Gjermania aktualisht janë vendet më të sigurta në botë kur bëhet fjalë për virusin e koronës. Të paktën kështu thuhet në një raport prej 250 faqesh të realizuar nga instituti Deep Knowledge Group, me seli në hong Kong, shkruan watson.ch.

SHBA në këtë ranglistë është në vendin e 58-të, menjëherë pas Rumanisë dhe dy vende përpara Rusisë.

Sipas revistës për biznes “Forbes”, ky raport bazohet në 130 parametra sasiorë dhe cilësorë dhe mbi 11,000 pika të të dhënave në kategori të tilla si efikasiteti i karantinës, monitorimi dhe efikasiteti shtetëror etj, transmeton albinfo.ch. Autori është kompania dhe konsorciumi jofitimprurës Deep Knowledge Group, i cili është në pronësi të kompanisë së investimeve Deep Knowledge Ventures në Hong Kong.

Arsyet afatgjata për ecurinë e mirë sa i përket krizës së koronavirusit kanë të bëjnë mbi të gjitha me faktin se vendet e vlerësuara më së lartë, i kanë njëherësh edhe ekonomitë ndër më të qëndrueshmet e të zhvilluarat në botë, përcjell albinfo.ch. Këtu sigurisht hyjnë edhe Zvicra dhe Gjermania. Po kështu, zbutja me kujdes e masave është dhënë si një nga arsyet.

Megjithatë, duhet të theksohet se ky raport është vlerësimi i rrezikut i bërë vetëm nga një kompani ndërsa shkalla e rrezikshmërisë mund të ketë ndryshime brenda një vendi.

Po kështu, raporti nuk merret thjesht me numrin e të infektuarve dhe të të vdekurve të vendeve përkatëse, por më tepër me sigurinë dhe aftësinë e vendeve të analizuara për t`u ballafaquar me pandeminë, veç tjerash, nga aspekti ekonomik.

Nisur nga këto arsye, Shqipëria dhe Kosova, ndonëse kanë pasur numër relativisht të ulët të viktimave, nuk janë plasuar aq mirë në këtë ranglistë.

Megjithatë, dallimi në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, siç mund të shikohet në “piramidën” ilustruese, është i konsiderueshëm: Shqipëria radhitet rreth kreut të vendeve të nivelit të tretë (anglisht: Tier 3) ndërsa Kosova, në nivelin e katërt.