Ja çfarë u diskutua sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e trembëdhjetë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është zhvilluar sot nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në mbledhje janë miratuar projektligje dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Pas një shqyrtimi që i është bërë gjatë javës së kaluar nga anëtarët e kabinetit qeveritar, Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”. Tani, Qeveria do të fillojë procesin e diskutimit të prioriteteve me institucionet e BE-së dhe shoqërinë civile. Kryeministri ka vlerësuar se angazhimi dhe puna e mirë e Qeverisë në përmbushjen e Agjendës Evropiane do të krijojë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Projektligji me ndryshimet e ofruara ka për qëllim lejimin e investimeve të mjeteve të fondit të privatizimit në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Edhe Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji trajton në aspektin gjithëpërfshirës të ndërtimeve pa leje, procedurat e thjeshtëzuara për legalizim, ofrim të thjesht të shërbimeve për legalizim (One stop shop) dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për kompensimin e njëhershëm të delegatëve të legjislaturës 1990 dhe të cilët kanë marr pjesë në mbledhjen e 2 korrikut 1990 të shpalljes së deklaratës së Pavarësisë dhe në mbledhjen e 7 shtatorit 1990 të shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shuma e ndarë për kompensim të njëhershëm kap vlerën prej 300 mijë eurove dhe do të ndahet proporcionalisht për secilin delegat. Në listën e delegatëve që do të përfshihen në kompensim janë gjithsej 111 delegatë.

Miratimin në parim të Qeverisë, në mbledhjen e sotme, e ka marrë edhe vendimi për lidhjen e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (Cosme) 2014-2020”.

Vendimi për miratimin e nismës për marrëveshjen ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, është miratuar në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësimin e pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në zonat kadastrale të komunave Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Edhe vendimi për emërimin e Komitetit publiko-privat ka marr miratimin e Qeverisë në këtë përbërje:

  1. Ministria e Financave,
  2. Ministria e Zhvillimit Ekonomik,
  3. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,
  4. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
  5. Ministria e Infrastrukturës.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “Kumanova”.

Me miratimin e vendimit, Qeveria ka emëruar drejtorët në Bordin drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Korporata Energjetike e Kosovës.

Është miratuar edhe raporti me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së. Numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961.

Kryeministri ka kërkuar nga të gjitha institucionet të veprojnë shpejt dhe drejtë në trajtimin e shpronësimeve të pronave për nevojën e mihjes së thëngjillit, ku ka tendenca të aktiviteteve për ndërtim të objekteve te reja.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal kanë kërkuar që të përfshihen në shfrytëzimin e kontratave të lidhura nga Autoriteti Qendror i Prokurimit Publik dhe të jenë pjesë e kontratave të reja që do të lidhë në të ardhmen.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht, për një afat njëvjeçar, privatizimin e tokave në pronësi shoqërore, periudhë gjatë të cilës do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve.