Ja çfarë thotë raporti policor për plagosjen e djeshme në Skenderaj

Një rast me elemente të veprës penale ‘vrasje në tentativë’ është iniciuar dhe proceduar në orët e pasdites së sotme. Rasti është raportuar në orën 14:20 të datës 13 korrik 2015, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën ‘Ilaz Kodra’ në Skenderaj.

Informacioni për rastin ishte raportuar në stacionin policor në Skenderaj, ku fillimisht ishte raportuar për të shtëna. Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se ishte plagosur viktima K. O. 62 vjeçar, të cilit ndihma e parë i ishte dhënë në QKMF Skenderaj, ku më pas ishte transferuar për në QKUK.

Në vendngjarje si prova materiale nga ana Krim-teknikës gjejnë pesë gëzhoja të kalibrit të vogël.

Duke pasur parasysh elementet përbërëse të veprës penale në vendin e ngjarjes, nën autorizimin e prokurorit, hetimet i kanë nisur hetuesit rajonalë nga Njësia e Krimeve të Rënda. Në bazë të të dhënave të para gjatë pasdites së djeshme Policia ka identifikuar identitetin e të dyshuarit, si dhe ka realizuar një bastisje në shtëpinë e tij, ku është konfiskuar një pushkë, ndërsa në mëngjesin e sotëm të datës 14 korrik 2015 i dyshuari H. A. 50 vjeçar, është vetëdorëzuar në Polici nga i cili është konfiskuar një pistoletë e cila dyshohet se është përdorur në vepër penale.

Nga hetimet e para, bazuar në deklaratat e siguruara nga viktima dhe i dyshuari, dyshohet që veprës penale i ka paraprirë një zënkë e çastit në mes të  dyshuarit dhe viktimës.

Pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërsa, duke pasur parasysh rrethanat e rastit, provat e gjetura në vendngjarje dhe elementet e rastit, prokurori ka urdhëruar që rasti të vazhdojë të hetohet si vepër penale ‘ vrasje e rëndë në tentativë’, kanosje, dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT