Ja çfarë thanë dëshmitarët në procesin kundër Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit (Video)

Në gjykimin e Gani Gecit dëshmuan dy persona që ishin në tavolinë me Ruzhdi Shaqirin kur ndodhi vrasja e tij.

Shani Koca dhe Blerim Musliu përshkruan në gjykatë vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014 në orët e mbrëmjes në kafiterinë “N’Qosh’ të Skenderajt.

Shani Koca duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores së EULEX-it Lili Oprea Stelute, tha se ditën kur u vra, Ruzhdi Shaqiri po shkonte në një dasmë.

“Unë me Blerim Musliun dhe disa persona tjerë kemi qenë të ulur në një tavolinë dhe aty ka ardhur më vonë Ruzhdi Shaqiri me dy fëmijët e tij dhe tregoi së gruan e ka lënë të frizerka  pasi që ishte duke shkuar në një dasëm,” tha dëshmitari Koca.

Ai pastaj tregoi për dialogun që Ruzhdi Shaqiri zhvilloi me Gani Gecin, para se të ndodhnin të shtënat.

“Fëmijët e Ruzhdiut kanë shkuar në disa lodra aty afër lokalit. Pas nja 5 minutave e kam dëgjuar Ruzhdiun se i ka thënë dikujt ‘selam alejkum’. Jam kthyer me pa se kujt po i thotë, e pashë se Gani Geci i tha se a i ke mbledh 24 pleqtë me m’bo be ku je konë me datën 19. Ruzhdiu i ka thënë nxjerre revolen e gjuaj dhe Ganiu ka shti në të,” tha dëshmitari Koca.

Prokurorja e pyeti Kocën se a ishte frikësuar në momentin e të shtënave.

“S’kam pasë pse me qenë i rrezikuar pasi e tërë ngjarja ka ndodhur për disa sekonda,” tha Koca.

Edhe dëshmitari tjetër Blerim Musliu tregoi rrëfim të ngjashëm për vrasjen “N’Qosh”, me një ndryshim të vogël.

Musliu tha në gjykatë se e ka vështirë t’i thotë fjalët e Ruzhdi Shaqirit drejtuar Gani Gecit, pasi Geci iu drejtua tash të vrarit me shprehjen “a i ke mbledh 24 pleqtë”.

“Ruzhdiu i ka thënë shko në k… dhe nxjerre alltinë e qit së spo ma nin,” tregoi Musliu fjalët e Ruzhdi Shaqirit me insistimin e kryetarit të trupit gjykues Vidar Stensland.

Pas përfundimit të seancës nën masa të rrepta sigurie Gani Geci u përcoll nga objekti i gjykatës në veri të Mitrovicës drejt shtëpisë së tij në Llaushë të Skenderajt ku po mbahet në arrest shtëpiak.

Gani Geci që nga dita e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit, deri më 22 gusht 2014 kur iu dorëzua EULEX-it, konsiderohej i arratisur, pasi nuk dëshironte të binte në duar të drejtësisë vendase.

Por në seancën e katër prillit të këtij viti, trupi gjykues i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit që e mori rastin e  tij, ia ndryshoi aktakuzën.

Geci nga trupi gjykues me shumicë të gjyqtarëve vendas akuzohej për vrasje në tronditje të thellë mendore dhe armëmbajtja pa leje, ndërsa nga EULEX-ia akuzohet për vrasje të rëndë, përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.

Dënimet për vrasje të rëndë sillen nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Aktakuza ndaj Gecit pas pesë muajsh hetime ishte ngritur nga prokurorja Vahide Badivuku, e cila në prill të këtij viti me 3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë dhe ndalim i ushtrim i ushtrimit të profesionit për të për tri vjet.

Edhe kryetarja e trupit gjykues në procesin kundër Gecit, Kada Bunjaku-Përquku dha dorëheqje, ndërsa rastin e mori EULEX-i, duke nisur gjithçka nga e para.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT