Ish të burgosurit politikë reagojnë ndaj akuzave për Thaçin e Veselin: Drejtësia ndërkombëtare duhet të këndellet

Ish të burgosurit politikë reagojnë ndaj akuzave për Thaçin e Veselin: Drejtësia ndërkombëtare duhet të këndellet

Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës përmes një deklarate publike kanë reaguar ndaj publikimit të pazakontë të aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit.

Kryetari i kësaj shoqate, Hydajet Hyseni, ka thënë se ky lajm i pazakontë, pompoz dhe spektakular ka ngjallur trazim dhe shqetësim midis ish të burgosurve politike dhe në opinionin e gjerë gjithëshqiptar.

Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës ka thënë se duhet të kërkohet Gjykatë Speciale për Serbinë, përgjegjësen kryesore për krimet gjenocidale si ato në Srebrenicë, Sllavoni, Dubrovnik, Prekaz, Reçak, Dubravë, Krushë e gjetiu, në Bosnje, Kosovë, Kroaci.

Ata kanë thënë se Serbia po e përmbush këtë obligim ndërkombëtar me një “dhomë të veçantë”, në kuadër të Gjykatës së lartë të qytetit të Beogradit dhe me ndonjë proces politik farsë, të improvizuar e kuazi gjyqësor.

Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës kanë thënë se dëshirojnë të besojnë se drejtësia e respektuar ndërkombëtare do të këndellet dhe nuk do të lejojë që strategët e luftës djallëzore speciale të fusin kontrabandë në analet historike një falsifikim dhe mashtrim të kurdisur që do të kujtohej dhe të citohej si shembull i keq i një padrejtësie të madhe ndaj një populli të vogël, të shumëvuajtur dhe të ekspozuar në vijimësi, synimeve dhe projekteve gjenocidale shtetërore të Serbisë.

“SHOQATA E ISH TË BURGOSURVE POLITIKË E KOSOVËS

Deklaratë:

ME DREJTËSI REALE DHE PARIMËSI INSTITUCIONALE –

PËRBALLË PADREJTËSIVE SPECIALE

Lajmi i pazakonshëm, pompoz dhe spektakular, për dorëzimin në dhomën e specializuar të Gjykatës për krime të luftës, të aktakuzave kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe deputetit, ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, bashkë me një numër emrash tjerë të papublikuar, ka ngjallur trazim e shqetësim të natyrshëm midis ish të burgosurve politikë, siç ka ngjallur shqetësim e trazim edhe në opinionin e gjerë në Kosovë dhe gjithandej hapësirës shqiptare.

Pos funksioneve politike e shtetërore, që kanë ushtruar dhe ushtrojnë të apostrofuarit dhe pos rolit të rëndësishëm udhëheqës në luftën çlirimtare të Kosovës, në rininë e tyre, ata ishin edhe objekt i përndjekjes politike, gjykimit dhe dënimit në mungesë, nga gjykata shoviniste serbomadhe.

Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, që bashkon në gjirin e saj, të dënuarit dhe të përndjekurit politikë pa dallim nga profilet dhe bindjet politike e ideologjike të dikurshme apo të mëvonshme, angazhohet, pos tjerash, për një të ardhme të lirë, paqësore e demokratike, pa përndjekje politike dhe pa procese të politizuara dhe të kurdisura politiko-juridike.

Pa lejuar të përzihet dhe të ndërhyjë në pavarësinë e drejtësisë, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka kontestuar, qysh në nismë dhe në vijimësi, me fakte e argumente të shumta, ndërmarrjen problematike dhe difektoze, sajimin me inxhinjering problematik të një trupi penalo-politik që formalisht dhe zyrtarisht u pagëzua si “dhomë e specalizuar” brenda sistemit juridik të Kosovës. Në praktikë, kjo “Dhomë e specializuar” po formësohej dhe po funksionalizohej si ‘”Gjyktatë Speciale”, “sui generis”, me objektiv të shënjestruar monoetnik, me përbërje përjashtuese për juristët vendorë. Prokurorët dhe gjykatësit, madje edhe arkivistët, duhej të ishin ekskluzivisht të huaj, kurse të gjykuarit: ekskluzivisht vendorë dhe ekskluzivisht shqiptarë!

Është tërhequr vërejtja sa e sa herë për rrezikun e mashtrimit dhe vetëmashtrimit të madh të justifikimit të idesë së Gjykatës speciale, si synim kinse të dobishëm e të përbashkët me struktura ndërkombëtare, për mbrojtjen e UÇK- së, për ruajtjen dhe pastrimin e imazhit të saj dhe luftës çlirimtare! Me justifikime e motivime u imponua edhe ligji paradoksal e diskriminues për shqiptarët dhe kombësitë tjera joserbe për amnesti, faktikisht të njëanshme etnike dhe eksluzivisht, për të inkriminuarit serbë e serbofilë, për kryengritje, rezistencë dhe veprime të ndryshme të dënueshme kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si sulmi kundër rendit kushtetues e tërësisë teritoriale, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe sa e sa vepra të rënda dhe të dënueshme…!

Mënyra e burgosjes, e riburgosjes dhe e diskreditimit special të eprorëve dhe drejtuesve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare dhe faktikisht dënimit moral aprioristik, para se të gjykohen dhe në kundërshtim flagrant me parimin e prezumimit të pafajësisë , qysh atëherë, fliste qartë, dhe tani po dëshmohet sërish, se nëpërmjet të shënjestrimit selektiv, me hir apo pa hir, me mjeshtëri speciale të qarqeve te caktuara antishqiptare dhe ndonjë vasali të tyre vendor, po ndodhte diskreditimi dhe demonizimi i vetë luftës çlirimtare, në funksion të paralizimit dhe pamundësimit të procesit të normalizimit, demokratizimit, zhvillimit, evropeizimit dhe integrimit evroatlantik dhe, rrjedhimisht, me dashje apo pa dashje të lehtësimit të strategjisë agresive, revanshiste e retrograde të shovinizmit serbomadh.

Nuk mund të shpejgohet ndryshe, fakti që goditja e paralajmëruar me vite në nivelin e lartë institucional e politik, vjen në kulmin e pandemisë, pikërisht pak pas përvjetorëve të masakrave të shumta gjenocidale, menjëherë, pas festimit të triumfit anakronik, në garën elektorale e pa rivalë të Vuçiçit e Daçiçit me shokë, pikërisht në vigjilje të mitit të Vidovdanit dhe pikërisht në vigjilje të dialogut kontraverz e problematik në Washington, i caktuar pikërisht në përvjetorin e Vidovdanit, pikënisjes së marshit luftënxitës e të përgjakshëm të Milosheviqit dhe lukunisë së tij shoviniste serbomadhe. E tëra kjo nuk mund të jetë rastësi.

Thonë, lojën e fiton ai që luan, dhe luftën politike – ai që lufton. Armiku më i rrezikshëm, po dëshmohet edhe në rastin tonë, është ai që harrohet e nënçmohet.

Pa u lëshuar në historinë e palavdishme dhe zor të falshme të mashtrimit dhe vetëmashtrimit të madh, poashtu special, të lidershipit kosovar, dhe pa lejuar shkarjen në cënim të pavarësisë së drejtësisë, shprehim sërish, bindjen dhe besimin e palëkundur se lufta çlirimtare e UÇK -së ishte jo vetëm e drejtë, çlirimtare, e imponuar, mbrojtëse dhe shpëtimtare, por edhe si rrallë ndonjë luftë tjetër, ishte luftë kryesisht e pastër, e përmbajtur, e pjekur dhe njerëzore, në frymën e parardhësve tanë rilindas e liberatorë, që obligonin dhe shtrëngonin fort secilin luftëtarë lirie, jo vetëm të mbronte veten dhe njerëzit e vet nga dhunuesit shovinistë, por të mbronin edhe secilin njeri të pafajshëm, qofshin ata edhe nga tabori tjetër.

Nuk mund të mos besojmë se drejtësia ndërkombëtare e kohës, nuk do të injorojë dhe anashkalojë faktin se lufta e Ushtrise Çlirimtare ishte një përballje e pabarabartë dhe me një makineri të fuqishme dhe të egër, institucionale dhe speciale shtetërore, të armatosur dhe të mbështetur edhe nga jashtë, që nuk linte pa përdorur, jo vetëm asnjë formë e metode brutale, shfarosëse e shkatërrimtare, por as metodat më perfide e mjeshtërore të shpifjeve e dezinformimeve, sajimeve dhe falsifikimeve, të kurdisjeve, inskenimeve dhe fabrikimeve nga më të ndryshme dhe të pabesueshmet, madje edhe në faturat dhe në konton e UÇK-së.

Na kërkohej me mirësi, por na bëhej edhe trysni neve, në Kosovën plotë shtëpi e shkolla të shkrumbuara, që mos të merremi me të kaluarën, me luftën dhe pasojat e saj, por të shikojmë përpara paqen, pajtimin, integrimin, demokratizimin dhe evropeizimin! Për pasojë, masakrat e tëra kriminale dhe gjenocidale, duke përfshirë edhe kasaphanet, groposjet dhe rigroposjet masive të mijera trupave të civilëve të pafajshëm shqiptarë, të degdisur gjithandej nëpër Serbi, për të humbur gjurmët dhe të vërtetën për fatin e tyre, mbetën pa u shqyrtuar, madje edhe pa u proceduar fare, në kohën kur Serbia, krahas armatosjes së pandërprerë, po sajonte e po fabrikonte dosje të nduarduarshme kundër Luftës çlirimtare dhe ndërhyrjes së NATO-s dhe botës demokratike e paqedashëse!

Mbeten pa u shqyrtuar, madje edhe rastet e pakta të proceduara në përputhje me procedurat e parapara ligjore, siç është kallëzimi penal i Shoqatës sonë lidhur me masakrën e Dubravës, ku e organizuan grumbullimin e planifikuar të të burgosurve politikë shqiptarë nga burgjet e ndryshme të Serbisë, provokuan aviacionin e Nato-s dhe shfrytëzuan goditjen e saj si pretekst për të sulmuar, vrarë e masakruar më se 150 të burgosur dhe shumë të tjerë të plagosur e të sakatuar.

Nuk u kërkuan gjykata special as për fatin e mijëra pengjeve civile të luftës, me trupat e të cilëve nuk dihet çka ka mdoshur, por shumë nga ata janë gjetur nëpër varrezat masive, me qindra kilometra larg, nëpër Serbi, kurse për një pjesë syresh burimet serbe dëshmojnë se kanë përfunduar edhe në furrnalta të ndryshme metalurgjike nëpër Serbi! Nuk u kërkua gjykatë speciale as për përgjegjësit e fatit të dhembshëm të figurave eminente shqiptare si Ukshin Hoti, Xhavit Haziri, Fehmi Agani, Latif Berisha, Bardhyl Çaushi, Agim Hajrizi, Hafir Shala, e sa e sa te tjerë. Përgjegjësit e zhdukjes së tyre dihen me emra dhe mbiemra dhe jetojnë të qetë e të mbrojtur nga shteti i Serbisë.

Përse ky qendrim me kute dhe standarde të ndryshme? Përse nuk u kërkua dhe nuk kërkohet Gjykatë speciale për Serbinë, përgjegjësen kryesore për krimet gjenocidale si ato në Srebrenicë, Sllavoni, Dubrovnik, Prekaz, Reçak , Dubravë, Krushë e gjetiu, në Bosnje, Kosovë, Kroaci, etj? Serbia po e përmbush këtë obligim ndërkombëtar me një “dhomë të veçantë”, në kuadër të Gjykatës së lartë të qytetit të Beogradit, dhe me ndonjë proces politik farsë, të improvizuar e kuazi gjyqësor.

Besojmë dhe dëshirojmë të besojmë, se drejtësia e respektuar ndërkombëtare do të këndellet dhe nuk do të lejojë që strategët e luftës djallëzore speciale të fusin kontrabandë në analet historike një falsifikim dhe mashtrim të kurdisur që do të kujtohej dhe të citohej si shembull i keq i një padrejtësie të madhe ndaj një populli të vogël, të shumëvuajtur dhe të ekspozuar në vijimësi, synimeve dhe projekteve gjenocidale shtetërore të Serbisë.

Sfida është serioze, perfide dhe e veshur me petk juridik. Si e tillë ajo mund dhe duhet të fitohet me angazhim të përbashkuar, me maturi, pjekuri, argumente e faktografi, në bashkërendim dhe bashkëpunim të brendshëm dhe me faktorët përkatës dhe vërtet miq e dashamirës të drejtësisë dhe të së vërtetës, duke mbajtur parasysh gjithmonë, para së gjithash dhe mbi të gjithat, intersat madhore të vendit dhe kombit. Ne besojmë shumë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare dhe urojmë, që Presidenti Hashim Thaçi dhe deputeti, ish kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-ës, Kadri Veseli, si dhe të akuzuarit tjerë, të jenë të fundit që përballen me sfida të tilla dhe të dëshmojnë pafajsinë e tyre, siç ka ndodhur në raste të ngjashme më parë me të akuzuar të tjerë nga radhët e luftëtarëve të lirisë.

Sfida e Gjykatës speciale ndaj Kosovës, sa e rëndësishme aq edhe e rrezikshme për të kaluarën themeltare, për të sotmen e hallakatur dhe të ardhmen e synuar dhe të rrezikuar, mund të fitohet dhe të tejkalohet me qasje serioze institucionale, me drejtësi të mirëfilltë, reale dhe me reflektim, konsolidim e reforma të gjithanshme e substanciale”, ka shkruar Hydajet Hyseni, kryetar i kësaj shoqate. /Lajmi.net/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com