Nënsekretari i Finlandës Kai Sauer, që ishte edhe këshilltar kryesor i ish-presidentit Martti Ahtisaari, ka thënë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte idealja e zgjidhjes së problemit mes dy palëve.

Sauer ndan mendimin e njëjtë me atë të BE-së, se Kosova me doemos duhet të kalojë në fazën e dialogut me Serbinë për t’u anëtarësuar në Union, njofton Klan Kosova.

“Ne presim nga dialogu që të çojë drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është synimi i bisedimeve. Duam të shohim që Kosova të mund të ketë qasje në dialog. Mendojmë që dialogu është fazë e rëndësishme e anëtarësimit në BE. Njohja do të ishte ideale. Ne e kemi njohur Kosovën dhe disa shtete të tjera e kanë njohur, por nëse doni të keni marrëdhënie normale me fqinjët atëherë duhet njohje mes vete”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Sauer ka thënë se ka pasur progres në procesin e deritanishëm të dialogut, meqë janë arritur 15 marrëveshje, për të cilat pretendon se kanë përmirësuar situatën e tensionuar pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fatkeqësisht akoma mbetet punë për t’u bërë. Gjithmonë ka veprime prapa skenave dhe negociatat në tryezë janë rezultat i një procesi që është përgatitur me shumë kujdes. Përgatitjet marrin më shumë kohë dhe energji sesa vetë bisedimet në tryezë”, ka përfunduar ai.