Ekzistonte një agjendë politike në EULEX për të ndjekur “peshq të mëdhenj” pa shikuar faktet, ka thënë ish-hetuesi i këtij misioni, Troy Wilkinson. Në emisionin Rubikon ai ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhur me rastin e MTPT-së. Fatmir Limaj, sipas tij, vetëm një ditë para bastisjes ishte futur në listën e të dyshuarve pa fakte, me arsyen e vetme se ai do të përbënte lajm dhe do të krijohej përshtypja se EULEX-i po punonte.
Nga Las Vegasi ish-hetuesi i EULEX-it, Troy Wilkinson, ka akuzuar zyrtarët e misionit të Bashkimit Evropian se marrin paga të majme për të mos bërë asgjë.
Për dy vjet sa ishte hetues në EULEX, Wilkinson ka thënë se ka parë se në EULEX ekziston një agjendë politike për të ndjekur “peshq të mëdhenj”, pa i shikuar faktet.
Në një intervistë dhënë në Rubikon të KTV-së, ish-hetuesi ka thënë se EULEX-i ka bërë përzgjedhje të lëndëve që duhet hetuar duke mbyllur sytë para shumë krimeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku përfshihen vrasje, plaçkitje dhe korrupsion. Fakti i vetëm që nuk janë zgjidhur, apo nuk janë hetuar, ishte se në raste nuk përfshihej ndokush që ishte i njohur.
Ai thotë se shqetësimet i ka ngritur në të gjitha nivelet, duke i raportuar për këto edhe vetë ish-shefit të EULEX-it, Andy Sparsk, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
“Askush nuk është atje për të ndryshuar ndonjë gjë dhe ata që janë si unë, që duan të shohin ndryshime, që duan të shohin të bëhen ndryshime pozitive, nuk mund të jenë efektivë, sepse EULEX-i nuk do t’i lejojë ata të jenë të efektshëm. Ata janë atje vetëm për gjashtë muaj apo një vit dhe morali gjithmonë është i ultë se punëtorët vazhdimisht ndërrohen. Ky mision ka shumë mangësi dhe do të dëshiroja ta kem mundësinë t’ia tregoj të gjitha Brukselit, por ata nuk duan të dëgjojnë atë që unë kam për t’i thënë”, ka thënë Wilkinson.
Wilkinson ka folur edhe për Fatmir Limajn, meqë ka qenë hetues në rastin e MTPT-së. Sipas tij, Limaj nuk ka qenë asnjëherë i dyshuar për këtë rast deri një ditë para bastisjes, ku me insistimin e Isabela Arnal ishte bërë i tillë.
“Ne kemi punuar në atë rast 6 muaj para bastisjes dhe unë isha atje si kryesues i hetimeve për forenzikën e IT-së, kam marrë pjesë në çdo takim dhe isha me prokurorinë dhe Limaj asnjëherë nuk ka qenë i dyshuar deri në ditën e bastisjeve, kur Isabelle Arnal insistoi që Limaj të bëhet i dyshuar. Atë kohë, një ditë para bastisjes, rezidenca e tij iu shtua listës së bastisjeve dhe kjo ishte e qartë për çdo prokuror se ky ishte një akt i shënjestruar nga Isabelle. Dhe ndoshta edhe nga të tjerët, sepse unë nuk e di kush e nxiste Isabellen, por ajo ishte personi që po i nxiste akuzat kundër Limajt. Shefja e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar, Elizabeth Disher, nga Britania e Madhe dhe gjithashtu James Albrecht, që ishte shef i Departamentit të Policisë, e patën përmendur disa herë që nuk kishte prova kundër tij”, ka shtuar më tej Wilkinson.
Ndërkohë që Limaj në Rubikon ka kërkuar nga EULEX-i dhe Gjyqësia e Kosovës që të hetohen të gjitha dyshimet, duke nisur që nga montimi i fakteve për të.
- Advertisement -