Isa Mustafa shpëton nga interpelanca

Mungesa e anëtarit të Kryesisë nga Lista Srpska, ka qenë vendimtare në ndërprerjen e mbledhjes së Kryesisë për shkak të mungesës së kuorumit.
Megjithatë, pos anëtarit të Kryesisë nga Lista Srpska në mbledhjen e kryesisë së sotme mungoi edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili është në vizitë zyrtare në Panama, e po ashtu edhe anëtari tjetër Sabri Hamiti, i cili është në udhëtim pune.
E, si pasoj e kësaj u shty mbledhja e Kryesisë, derisa interpelancës i shpëtoi edhe kryeministri Isa Mustafa, e cila ishte paraparë të mbahej të premten.
Këtë shtyrje opozita e vlerësoi si dështim të Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, meqë kur po bëhen njëqind ditë të qeverisjes, ende nuk e ka sjell planin e punës për ta diskutuar në Kuvend.
Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha se kanë planifikuar ta mbajnë mbledhjen e Kryesisë për të caktuar seancën e radhës, por që për shkak të kuorumit u dashtë ta shtyjmë për një ditë tjetër.
“Ne deshëm ta mbajmë mbledhjen e kryesisë por meqë kryetari është jashtë shtetit në vizitë zyrtare dhe një anëtare e kryesisë mungon sipas vendimit që ka grupi parlamentar që ka lista serbe dhe një anëtarë i kryesisë nuk ishte, është në udhëtim pune. edhe pse menduam që do të vije, u detyruam që ta shtyjmë për një ditë tjetër mbledhjen e Kryesisë. Këtë të premte ka qenë e planifikuar interpelanca e kryeministrit me kërkesë të VV-së, por edhe ajo duhet të shtyhet besoj javën e ardhshme”, tha Haliti.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa, duke e quajtur të dështuar meqë edhe në njëqind ditshin e qeverisjes nuk po e sjell në Kuvend për ta diskutuar planin e punës.
Ajo thotë se Qeveria planin edhe kështu të vonuar e ka bërë për vete dhe jo për deputetët, e as për opinionin dhe qytetarët.
“Në kutitë tona e kanë dorëzuar si informatë, që nënkupton që nuk do ta sjellin në seancë, nuk do ta prezantojnë dhe nuk do të marrin imputet nga diskutimet e deputetëve. Rrjedhimisht opinioni nuk do ta ketë aspak të qartë se çka përmban ai plan i cili nga Qeveria nuk po sillet në Kuvend dhe seancë për tu ballafaquar me realitetin e atij plani. Prandaj mund të themi se Isa Mustafa si kryeministër ka përgatitur një plan për vetën e tij dhe për ta mbajtur fshehur, e jo për ta sjellë në seancë për t’u ballafaquar me deputetët siç e do rendi sepse është republikë parlamentare”, theksoi Kadaj-Bujupi.
Në këtë mbledhje Kryesia në rend dite për shqyrtim kishte kërkesën e Vetëvendosjes për Interpelancën e Kryeministrit për Përgjegjësitë Kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Gjykatës Kushtetuese, procedimin e nismës për plotësim ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe kërkesa e Grupit Parlamentar të AAK-së, për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për RTK-në./kp/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT