Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konsideron se drejtori i institucionit më të lartë të sigurisë në vend, AKI-së, duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin.

“Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që Kryeministri i ardhshëm së bashku me Presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Sinjali.

Kujtojmë se Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga pozita e shefit të AKI-së disa ditë më pare. Ai nuk tregoi arsyet pse u la bosh pozitën e “kryespiunit”.

Por kryeministri Ramush Haradinaj ditë më pare në një konferencë për media deklaroi se Maxhuni është larguar për arsye shëndetësore.

Kujtojmë se më së gjati në krye të AKI-së ka qëndruar Bashkim Smakaj i cili ka përfunduar një mandat të plotë dhe mbi një vit të mandatin të dytë.