Bëhet e ditur se projekti “Mavrijan Luxury Resorts” ishte prezantuar në korrik, ndërsa këtë muaj në Ulqin duhet të vijnë investitorët e interesuar nga Katari dhe Egjipti.

Loro Nrekiq, kryetari i Ulqinit, ka paralajmëruar se në gjirin e Valdanosit është paraparë ndërtimi i një porti, tri hoteleve luksoze dhe 105 vilave, që gjithsej do të përfshijnë 5 mijë shtretër. 105 vilat do të përfshijnë 350 metra katrorë sipërfaqe, dhe janë të parapara vetëm për një familje.

Toka që planifikon të shesë komuna për këtë projekt vlerësohet rreth 20 milionë euro. Vlera e investimit planifikohet të jetë nga 600 milionë deri në një miliard euro. Investitorët e interesuar kanë caktuar takime me përfaqësuesit e komunës.

Hoteli i parë A i resorit do të ketë një sipërfaqe prej 32 mijë metra katrorë, me 3848 metra katrorë për pishinë të hapur dhe 2675 metra katrorë për fusha të hapura sportive.

Hoteli B do të jetë qendra e resorit me 652 dhoma, 47 800 metra katrorë sipërfaqe me pishinë prej 2500 metra katrorë dhe fusha prej 2546 metra katrorë. Hoteli C do të ketë një sipërfaqe prej 22 299 metra katrorë.

Më shumë se 10 000 metra katrorë të resorit janë të parapara vetëm për kazino.