Inva Mula rikthehet për t’i dhënë Butrintit shkëlqimin që meriton

Në atdhe sopranoja Inva Mula rikthehet me dëshirën për të interpretuar dhe përjetuar emocione të veçanta në skenën e Amfiteatrit Antik të Butrinit, por edhe me një përgjegjësi më të madhe, të prezantuarit e Shqipërisë në mbarë botën. “Do të promovojmë kulturën shqiptare, vendin tonë të mrekullueshëm, në një vend me të cilin jam familjarizuar më herët, pasi kam bërë dhe koncerte të tjera. Këtë ftesë e shikoj dhe si një përgjegjësi, sepse jam këtu, jam pjesë e këtij aktiviteti, këtij promovimi, që po i bëhet Shqipërisë në botë”.

Sopranoja ndihet e lumtur që mundësohet promovimi i vlerave kombëtare jo vetëm nëpërmjet artit vendas, por edhe nëpërmjet vendit ku do të interpretojë (Amfiteatri Antik i Butrintit), një nga vendet më unike, krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit ku ajo ka performuar. “Me sa kam ndjekur, por edhe me sa kam shkuar në koncerte apo në aktivitete që kam bërë në vende antike, besoj se Butrinti është një brilant i vogël, për të cilin duhet vërtet që ta dimë se si mund t’i japim shkëlqimin që meriton. Atje ku dhe muret flasin për kulturën e lashtë, për fanarin, i cili nuk do ta humbasë asnjëherë vlerën, pavarësisht kohës që kalon dhe pa bërë muzikë”.

E teksa flet për rëndësinë e interpretimit në një skenë të hapur, ajo nuk harron që të risjellë në kujtesë koncertin, që ka dhënë para disa vitesh në këtë skenë. Ajo tregon se interpretimi në Butrint mund të ketë vështirësi të mëdha dhe për shkak të kushteve natyrore.

“Është një vështirësi shumë e madhe, dukuritë natyrore dhe atmosfera krijojnë vështirwsi në çdo moment, në çdo sekondë, në çdo minutë ndihesh pezull, me dilemën se çfarë do të ndodhë”. Kudo në botë, nëse artistët janë duke interpretuar në ambiente të hapura, kur fillon pika e parë e shiut, shfaqja ndërpritet, sepse artistët duhet që të kujdesen për instrumentet e tyre. Por çfarë kanë bërë instrumentistët me të cilët Inva Mula ka bashkëpunuar gjatë koncertit të parë në Butrint?

“Na ka ndodhur që gjatë shfaqjes në Shqipëri të zymtohet qielli për të nisur shiu. Ndërsa shiu nuk po fillonte, nuk u çua asnjë instrumentist nga vendi, edhe pse pika e parë e shiut ka nisur në momentin e fundit të koncertit. Aty unë pashë se nuk është vetëm dashuria për instrumentin, por është dhe dashuria për artin dhe për atë që ti bën, që të mban deri në fund në një skenë”. Këtë ngjarje të shkurtër Mula e tregon jo vetëm si përjetim të sajin, por dhe për të treguar kontrastin mes artistëve në skena të ndryshme.

“Është shumë e vështirë për ne këngëtarët, edhe pse kemi nevojë që të këndojmë në terrene, të cilat i njohim. Në një skenë të mbyllur, ku nuk ka as erë dhe asgjë tjetër, kur salla është mbyllur, vështirësia është shumë e madhe, duhet menaxhuar dhe kjo pjesë”. Ajo mendon se ky lloj teatri ndoshta kamuflon çdo lloj vështirësie që mund të krijojë atmosfera.

Repertori që sopranoja do të prezantojë në Amfiteatrin Antik të Butrintit është një koordinim i repertorit botëror klasik dhe atij shqiptar. “Jam munduar që të zgjedhim pjesë të njohura botërore për publikun. Kemi sjellë disa elemente nga kompozitorë të shquar, sikurse është dhe Xhuzepe Verdi, për të marrë atë patosin, dhe në të njëjtën kohë madhështinë, që ky kompozitor krijon me muzikën e tij”.

Por repertorëve klasikë, ashtu sikurse jemi mësuar që t’i dëgjojmë sa herë sopranoja rikthehet në atdhe, nuk u ka lënë mangët as pjesët shqiptare. Për të ka shumë rëndësi që ne t’i tregojmë gjithë komunitetit evropian, se kemi një krijimtari shqiptare, të cilën nuk duhet që ta lëmë asnjëherë mënjanë. “Ajo ka arritur që të mbijetojë dhe jemi krenarë kur dëgjojmë pjesët orkestrale të Thoma Gaqit, pikërisht orkestrime të melodive shqiptare. Kemi uverturën e Nikolla Zoraqit e shumë të tjera”.

Inva Mula ka zgjedhur që ta rifillojë interpretimin e saj me një arie shumë të bukur, ndoshta, të shkruar përpara se ajo të lindte, nga babai i saj, artisti i mirënjohur, Avni Mula. Bëhet fjalë për pjesën “Agimet Shqiptare”, ku nëpërmjet thjeshtësisë së kësaj arieje, të krijohet një imazh i Shqipërisë për natyrën që ka dhe për atë që ajo duhet të jetë.

Sopranoja nuk është e vetme në këtë koncert. “U rigjenda midis miqve dhe shokëve, është shumë bukur që të rikthehesh në këtë teatër dhe të gjesh përsëri atë dashuri, që të rrethon nga këta artistë, për të cilët dhe pse koha ka kaluar, gjejnë mundësi për të ribërë një koncert me vepra, që janë vendosur më parë, por në një kontekst të ri”. Në skenë do të jetë edhe tenori Armando Kllogjri, i cili do të interpretojë jo vetëm arie solo, por dhe duete me sopranon.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT