Inspektorati i Tregut: Vaji i prodhuar në Serbi nuk i plotëson kriteret, të largohet nga tregu

Inspektorati i Tregut ka kryer inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës.

Pas analizave në laborator, ka rezultuar se një lloj i vajit, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja për produktet e parapaketuara.

“Si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh”, thuhet në një njoftim.

Inspektorati i Tregut ka ftuar konsumatorët që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT