Policia e Kosovës po vazhdon me kontrollet e tyre për zbatimin dhe respektimin e masave anti-COVID, masa këto të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, në Gjakovë policia ka kontrolluar edhe autobusët për të inspektuar nëse po i respektojnë masat. Kjo është bërë e ditur me anë të një njoftimi të Policisë së Kosovës.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, së bashku me gjitha stacionet e DRP-së, po implementojnë planin duke u kujdesur për zbatimin dhe respektimin e masave ndaj Covid – 19”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësiti policor janë të angazhuar në orar shtesë në punë, duke monitoruar zbatimin e masave nga ana e qytetarëve, e sidomos në vendosjen e maskës mbrojtëse si dhe respektimin e orarit të kufizimit të lëvizjes dhe qarkullimit të qytetarëve pas orës 22:00-05:00.

Policia e Kosovës ka thënë se veprimtaria operacionale e policisë është duke u zhvilluar në të gjitha fushat, si në planin e sigurisë rrugore, si prioritet për parandalimin e pandemisë.