INPO prezanton raportin “Prishtina komunë apo kryeqytet”. Ky raport paraqet gjetjet dhe rekomandimet e dala nga procesi i monitorimit të drejtpërdrejt të Komunës së Prishtinës për vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe raportuese, është monitoruar puna e Kuvendit të Komunës, si organi më i lartë ushtrimit të pushtetit lokal në Komunë dhe Ekzekutivi i Komunës, si bartës i zbatimit të objektivave komunale. Gjithashtu, në fokus kanë qenë edhe akterë të tjerë të rëndësishëm të qeverisjes lokale, siç është zbatimi i rekomandimeve të Zyrës se Auditorit të Përgjithshëm, funksionimi i Zyrës për Integrime Evropiane dhe Këshilli për Veprim Rinor Lokal.
Tutje në këtë raport, është trajtuar faza e tranzicionit të pushtetit nga udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tek Lëvizja Vetëvendosje (VV). Vëmendje i është kushtuar dilemave që e karakterizojnë Komunën e Prishtinës, si problematika e identitetit të Prishtinës si kryeqytet i vendit dhe sfidat me të cilat vazhdon të përballet Prishtina.
Përgjithësisht, sipas raportit, Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës gjatë vitit të parë të qeverisjes, ka qenë i paqëndrueshëm dhe jo kompakt. Tërheqja e dy drejtorëve nga detyra, ka qenë shqetësuese për qëndrueshmërinë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe realizimin e projekteve brenda drejtorive. Funksionimi i drejtorisë së Kulturës për katër muaj me radhë pa drejtor të emëruar, ka paraqitur ngecje në menaxhimin e drejtorisë dhe dështimin në realizimin e projekteve kapitale të planifikuara me buxhetin komunal 2014. Gjithashtu Komuna e Prishtinës përballet edhe më neglizhimin e realizmit të projekteve kapitale të parapara me buxhetin komunal. Si rezultat i mosekzekutimit të duhur të buxhetit Komuna vazhdon të përballet me një suficit gjithnjë e në rritje. Një nga arsyet bazë të performancës së dobët të komunës në shpenzimin e buxhetit komunal qëndron në mangësitë për planifikimin e projekteve nga drejtoritë përgjegjëse dhe monitorimin e implementimit të tyre konform afateve të përcaktuara kohore.
Gjithashtu, nuk janë adresuar sa duhet nevojat e qytetareve për shërbime më të mira publike, trafiku urban ende vazhdon të funksionojë në gjendje të vështirë, mungesa e definimit të qartë dhe lëshimit për përdorim të hapësirave për parkingje publike po pamundëson shkarkimin e trafikut rrugor nga tollovia që shoqëron Prishtinën çdo ditë pune të javës. Njëkohësisht mungesa e nënkalimeve dhe mbi kalimeve në pikat më të frekuentuara të qytetit, po pamundëson lëvizjen e lirë të qytetareve në kryerjen e aktiviteteve ditore.
Sa i përket Kuvendit të Komunës së Prishtinës, INPO ka përcjellë me shqetësim dështimin e partive politike në Kuvend për të tejkaluar mosmarrëveshjet partiake dhe angazhuar në adresimin e problemeve me të cilat ballafaqohet komuna. Gjithashtu, debati i zhvilluar në Kuvend, është shumë larg nivelit të një debati cilësor dhe produktiv, duke dominuar kështu përplasjet verbale në vend të zhvillimit te ideve përparimtare dhe frymës progresive, e cila mendohet të karakterizojë një Kuvend të zgjedhur nga vota e lirë e qytetarëve.
INPO e sheh si sfidë për Komunën e Prishtinës, që brenda këtij mandati qeverisës të angazhohet në implementimin e planeve rregullative në vendbanimet urbane, rrënimin e ndërtimeve të egra, shpërndarjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve si dhe regjistrimin e aseteve dhe pasurive komunale.
- Advertisement -