Iniesta rrezikon finalen e Championsit

 

Andres Iniesta ka trembur Luis Enriken dhe Barcelonën. Kapiteni i katalanasve u dëmtua në finalen e Kupës së Mbretit kundër Atletik Bilbaos dhe u zëvendësua në minutën e 55-të nga Ksavi Hernandez. Mesfushori spanjoll iu ankua stafit mjekësor për dhimbje në pulpën e djathtë dhe menjëherë iu dha ndihma e parë mjekësore duke i vendosur akull në vendin e goditur. Ditën e sotme, futbollisti do t’u nënshtrohet analizave të detajuara mjekësore, për të parë shkallën e dëmtimit.

Frika është e madhe te blaugranat që një nga lojtarët kyç të formacionit të mos ia dalë dot për ndeshjen e së shtunës së ardhshme kundër Juventusit në finalen e Ligës së Kampioneve. Iniesta është tepër i rëndësishëm për Barcelonën, pasi pasimet dhe vizioni i tij i lojës janë një armë e fortë për të thyer mbrojtjen e skuadrës kundërshtare dhe për të dominuar në mesfushë.

Ai ka qenë element kyç në triumfet e blaugranave në përballjet më të vështira të sezonit. Trajneri Luis Enrike shprehu optimizmin e tij se Iniesta do t’ia dalë që të jetë në sfidën kundër bardhezinjve. Ai tha se zëvendë- simin e bëri pasi lojtari ndiente një dhimbje bezdisëse dhe nuk donte të rrezikonte.

Gjithashtu, mesfushori u pa duke kërcyer me shokët e ekipit gjatë festimit të fitimit të Kupës së Mbretit. Sipas mediave spanjolle, stafi mjekësor i Barçës ka bërë gati një program të specializuar për futbollistin 31- vjeçar. Ai, gjatë gjithë javës, do të jetë në monitorim të rreptë, pasi frika është e madhe në klub për ndonjë të papritur në momentet e fundit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT