Infermierët po kërkojnë dyfishimin e pagesës së kujdestarisë nga 18 euro sa është aktualisht, në 36 euro. Këtë kërkesë e kanë bërë edhe zyrtarisht në SHSKUK, por deri më tani nuk kanë marr përgjigje.

Kështu ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë Fitim Havolli në një konferencë për media. Havolli, i cili ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se asnjë qeveri që nga pas lufta nuk i ka marr parasyshë kërkesat e infermierëve, shkruan Gazeta Shneta.

“Infermierët prej pas luftës nuk janë trajtuar ashtu siç duhet. E keni parë që edhe në pandemi ne nuk e kemi kursyer as veten dhe as familjen. Na kanë quajtur heronj, por institucionet nuk duhet të na quajnë heronj por të na plotësojnë kërkesat tona, drejtorit të SHSKUK-së Basri Sejdiu, drejtorit për infermieri Sami Tahiraj, dhe koordinatores Lirije Beqiri. Por çuditërisht ata nuk i morën aspak në konsideratë kërkesa tona për rritjen e kujdestarisë 100 për qind nga 18 euro në 36 euro”, ka deklaruar Havolli.

Ai ka thënë se infermierët edhe në Ligjin për Paga janë kategorizuar keq dhe fal angazhimeve të tyre përmes Avokatit të Popullit është arritur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe presin një vendim prej tyre për kërkesën që koeficienti të jetë 3.2 e jo 2.25 siç është tani.

“Fizioterapeutët me të njëjtën punë dhe të njëjtën kualifikim, ata janë 3.2 ndërsa ne si komunitet jemi 2.25. Kjo ka qenë shmangie e nenit i cili thotë se për punë dhe funksion të njëjtë duhet pagë e njëjtë. Duhet të merren parasyshë dhe së paku të na kishin ftuar të bisedojmë për kërkesat tona legjitime. Por ata na kanë injoruar dhe ne si sindikatë jam shumë i bindur që këto institucione nuk kanë parë hala çka është organizimi sindikal dhe atë mund ta marrin shembull në Amerikë”, ka deklaruar Havolli. /Gazeta Shneta/