Gjashtë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar mbrëmjen e së martës në komunën e Gjilanit. Në mesin e tyre është edhe drejtori i Shërbimeve Publike. Sot do të testohen 60 persona, përfshirë këtu edhe 25 punonjës të komunës të cilët po qëndrojnë të izoluar

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë për Gazetën Express se gjatë ditës së sotme janë marrë mostrat e 60 personave që do të testohen për të parë nëse janë prekur me virusin COVID-19 apo jo.

“Sot janë marrë 60 mostra për testim. Janë kontakte të personave që janë konfirmuar gjatë ditëve të fundit me COVID-19 në komunën tonë”, ka thënë Ismajli.

Ismajli tha se edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus.

Ai deklaroi se punonjësit e komunës të cilët kanë pasur kontakt me të po qëndrojnë të izoluar.

“Drejtori ka pasur kontakt me stafin e vet, në mesin e 60 personave që do të testohen janë edhe punonjësit e komunës, 25 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar”, deklaroi Ismajli.

Në Gjilan deri me tani janë konfirmuar 98 raste me koronavirus.

Nga ta janë shëruar 71 persona, 25 janë aktivë ndërkaq 2 kanë vdekur.

Ndërkohë, numri total i personave me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 1756.

Të shëruar janë 968, ndërkaq të vdekur 34./GazetaExpress/