19-vjeçarja Nazlije Sherifi nga Mitrovica, e cila vuante nga një sëmundje e veshkave, ka ndërruar jetë të dielën në Qendrën Klinike dhe Universitare.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se 19-vjeçarja përpos sëmundjes së saj ishte infektuar edhe me koronavirusin.

IKSHPK-ja tregon në detaje se kur u testua dhe çfarë rezultatesh testimi kishte e ndjera Sherifi në ditët e parë të vitit 2021.

Sqarimi i plotë:

Laboratorët e IKSHPK-në njoftojnë se mostra e pacientes N.SH. (2001) nga Mitrovica fillimisht është dërguar në IKSHPK – Prishtinë më 2 janar 2021 me kërkesën e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, përmes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë.

Pas testimit me Real Time PCR mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditën e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjell QRSHP-së në Mitrovicë dhe pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Një mostër tjetër e pacientës N.SH. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi intenziv qendror, QKUK, Prishtinë më 3 janar 2021 dhe e njejta ka rezultuar pozitive me SARS-CoV-2.

IKSHPK-ja njofton se mostrat e pacientes N.SH. janë testuar sipas protokolleve të punës në laborator, si të gjitha mostrat e tjera duke theksuar se IKSHPK-ja nuk është institucion kompetent për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve brenda spitaleve të Kosovës.