30 mostrat pozitive në COVID-19 të cilat janë nisur rreth një javë më parë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë për në Gjermani, sa i përket testimit më të detajuar në variantin e ri të koronavirusit, janë pranuar me datën 25 janar në Institutin e Virologjisë në Qendrën Universitare “Charite” në Berlin.

Ende IKSHPK nuk ka pranuar ndonjë rezultat rreth këtyre mostrave.

Këtë për Klan Kosova e ka konfirmuar Xhevat Jakupi, Drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

“Mostrat e dërguara nga IKSHPK janë pranuar me datën 25.01.2021 në Institutin e Virologjisë, Qendra Universitare Charite në Berlin. Ende nuk kemi rezultate të pranuara si dhe nuk kemi informata nga Instituti në fjalë se kur mund ti pranojmë këto rezultate”, ka deklaruar ai.

Drejtuesi i këtij laboratori në IKSHPK thonë se në rast të paraqitjes së ndonjë rasti me variantin e ri, IKSHPK nuk ka kite apo reagenca të duhura për të kryer këtë lloj testimi, ani se detektimi i saj bëhet me metodën e njëjtë Real Time-PCR.

“Nëse ndonjë nga rastet e testuara si pozitive është me variantin e ri britanik (ose te Afrikës së Jugut) të SARS-CoV-2, ende nuk kemi RT- PCR kite specifike për detektim pasi që vetëm në ditët e fundit kanë filluar të prodhohen dhe jemi në proces të sigurimit të këtyre kiteve”.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti i ri i COVID-19 përhapet shumë më shpejt sesa koronavirusi, teksa ende nuk është konfirmuar se ka vdekshmëri më të lartë.