Ibrahim Kelmendi: Vrasjen e vëllaut tim e bëri BIA serbe, por atmosferën po e krijojnë rugovistët

Ish-luftëtari i UÇK-së Qerim Kelmendi u gjet i djegur në veturën e tij në hyrje të fshatit të tij në Pejë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Vëllau i tij Ibrahim Kelmendi, që ndodhet në Amerikë, ka rrëfyer për klankosova.tv se si e mori lajmin tragjik për vdekjen e vëllaut të tij.

Ai ka thënë se vëllau i tij është vrarë dhe më pas është djegur në makinën e tij.

“Meqë jam për mjekim larg Kosovës, vëllai Osmani më njoftoi se rreth orës 01:20 (pas mesante), vëllait Qerim, tashmë të ndjerë, ia kanë zënë pritën në hyrje të lagjes sonë Vuthaj, në fshatin Llabjan. Fillimisht e kanë vrarë, pastaj e kanë djegë makinën me kufomë brenda”.

Kelmendi, që ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka dyshime se kush mund t’ia ketë marrë jetën vëllaut të tij që ishte ushtar i UÇK-së.

“Dyshoj që BIA e Serbisë ka komanduar specialistët e saj për ta vrarë në situatë kur është rindezur debati dhe grindjet për ‘vrasje politike’ që të nxisin edhe më shumë armiqësi në mes të të ashtuquajturit ‘krah i luftës’ dhe ‘krahut pacifist’”.

Por, ndoshta para se të ketë këtë dyshim, ai bëri një akuzë të ashpër publike.

Në mëngjes, në reagimin e tij ai përmendi ata që e mbështesin ideologjinë e Ibrahim Rugovës kur tha “Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë!” – fjali që më vonë e hoqi nga postimi i tij.

“Ishte reagim në afekt prononcimi im ‘Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë!’. E korrigjova sapo u qetësova. Gjithsesi, vrasjen e ka bërë BIA serbe, por atmosferën po e krijojnë rugovistët me shpifjet dhe akuzat e tyre politike e partiake duke i shpërdoruar edhe familjarët e të vrarëve”.

A kishte Qerim Kelmendi konflikte me dikënd?

“Vëllau nuk kishte me askënd, konkretisht, konflikt. E them me siguri të madhe, sepse rregullisht kemi komunikuar përmes Facebookut dhe ai nuk kishte asnjë rezervë ndaj meje. Ndërsa, debatet dhe grindjet publike përmes Facebookut i kishte të ashpra, ndoshta edhe për shkak të traumave që ka vuajtur qysh në fëmijëri, si i burgosur politik, dhe si luftëtar i UÇK-së”.

“Ishte ushtari i parë i plagosur në aksion gueril në vitin 1996. Rugovistët qysh atëherë ju kanë pas vardisë me shpifje dhe akuza, sepse nuk donin të prishej rendi dhe qetësia, siç i kishin premtuar pushtetit neofashist të Millosheviqit”.

Ibrahim Kelmendi ka thënë se uron që “institucionet e drejtësisë të duan dhe të mundin ta zbardhin këtë vrasje makabre dhe të gjitha vrasjet e deri sotme”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT