“I qita kafe e pastaj e kapa për fyti derisa nuk lëvizi më. E futa në thes të zi…”, rrëfimi i frikshëm i vrasësit të biznesmenit Bedri Rexhepi

Jeton Vllasaliu ka pranuar se ka vrarë biznesmenin Bedri Rexhepi. Në aktakuzën e plotë që ka siguruar Gazeta Insajderi, Jeton Vllasaliu deklaron se aksidentalisht e ka vrarë tashmë të ndjerin Bedri Rexhepi.

Ai thotë se ditën kur ka ndodhur vrasja makabër, fillimisht kanë pirë kafe së bashku e pas një përleshje i pandehuri e ka kapur për fyti Bedri Rexhepin dhe e ka rrëzuar për toke. E ka mbajt derisa ai nuk ka lëvizur më. Deri në vdekje.

Por, ndryshe nga versioni i tij, Prokuroria thotë se vrasja ishte e planifikuar nga vëllezërit Jeton e Nexhat Vllasaliu për katër muaj. Insajderi sjell aktakuzën e plotë.

I dyshuari për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, Jeton Vllasaliu ka rrëfyer në polici se si ka ndodhur e gjithë rasti. Ai thotë se ka pasur raporte të mira me viktimën dhe janë takuar shumë herë. Ditën e krimit, Vllasalihu rrëfen se si është takuar me viktimën dhe kanë shkuar në fshatin Vllasali në Novobërdë. Aty, Vllasaliu tregon se si e ka kapur për fyti viktimën dhe e ka mbajtur derisa ka ndërruar jetë.Tutje, ai tregon se pasi viktima ka nderuar jetë, trupin e tij e ka lënë në shtëpinë e cila ishte e vëllait të tij Nexhat Vllasaliu.

Pas krimit, ai e ka marr veturën e viktimës dhe e ka dërguar në një lokacion tjetër. Ka njoftuar vëllain e tij për krimin dhe janë takuar.

Jeton Vllasaliu thotë se vëllai i tij Nexhati ka refuzuar ta ndihmoj për zhvendosjen e trupit. Por pas disa lutjeve ka arritur ta bindë.

Të dy vëllezërit, sipas tij kanë shkuar në mal dhe kanë varrosur trupin e viktimës.

Tutje në deklaratën e tij ai i kërkon falje familjes Rexhepi për krimin e bërë. E po ashtu edhe familjes së tij.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasliu për 4 muaj radhazi kishin planifikuar vrasjen e Bedri Rexhepit duke e shfrytëzuar afërsinë me viktimën. Ai u vra në shtëpinë e të pandehurit, Nexhat Vllasaliu në fshatin Vllasali.

“…Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet. dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/ndjeri Bedri Rexhepi e kishte ndaj tij e ve në lajthitje të dëmtuarin Bedri Rexhepi, duke filluar nga 09 janar 2021, ku i kishte ofruar për shitje dy vetura, një Range Rover dhe një BMW X3, për vlerën prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro). Gjatë realizimit të planit të tyre, i pandehuri Jeton, me 08 prill 2021 të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij”, thuhet në aktakuzën të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Prokuroria ka specifikuar se ka qenë Jeton Vllasaliu që e vrau Bedriun, duke e ngulfatur. I ndjeri sipas prokurorisë me vete kishte pasur vetëm 8 mijë euro.

“I pandehuri Jeton pastaj në mënyre tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta Bedri Rexhepi, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro), siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8000 € (tetë mijë euro) që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu”.

Në akaktuzën e siguruara nga Gazeta Insajderi, mësohet se pas vrasjes biznesmenit, Bedri Rexhepi i ishte mbështjellur koka me qese të zezë ndërsa trupi me perdert e shtëpisë së vrasëssit, Nexhat Vllasaliu.

“Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjell kokën e tij me qese të zezë te najlonit kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat, dhe e kishte lidhur me një litar”.

Vetura të ndjerit Bedri Rexhepi të tipit “Jeep Grand Cherokee” me targa 05-406-EJ ishte dërguar nga dorasi, Jeton Vllasaliu në arat e fshatit Sushicë-Janjevë.

Me 9 prill Nexhat e Jeton Vllasaliu fshehin trupin e pajetë të Bedriut në vendin malor të njohur si “Mali i Madh në Vllasali”.

“Nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij të tipit Skoda Octavia, mu në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin Jeep Grand Cherokee. Në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjes e veprës dhe atë duke tentuar ti humb gjurmët e kryerjes se veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar me herët. Të nesërmen herët ne mëngjes me 09 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpin e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe ne bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ky i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri me dt.30.09.2022 kur janë gjetur mbetjet mortore që me besueshmëri janë të dëmtuarit Bedri Rexhepi”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

Në aktakuzë është përmendur edhe rekomandimet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Sipas raportit të tyre, thuhet se Bedri Rexhepi ka vdekur si pasojë e shtypjes mekanike të organeve të frymarrjes dhe enëve të gjakut (asfiksi mekanike).

Ai ka të thyer kocet dhe brinjët.

“Thyerja e kocës hioide e përshkruar në pikën 1 të përshkrimit të dëmtimeve e cila gjendet në regjionin e majtë të përparmë të qafës, me besueshmëri është shkaktuar gjatë strangulimit të regjionit të qafës.

Thyerja e barinjve të kafazit të kraharorit të përshkruar në pikën 2 të përshkrimit të dëmtimit janë shkaktar nga veprimi mekanik I mjetit të fortë mbretës (jo I mprehtë, I topitur) rreth kohës së vdekjes”, thuhet në raport.

Raporti i plotë:

Mbetjet mortore në bazë të matjeve të skemës autopologjike I përgjigjen gjinisë mashkull me moshën rreth 30- 49 vjeçe dhe me gjatësi rreth 170 + 3 cm.

Vdekja e të ndjerit Bedri Rexhepi me besueshmëri është e dhunshme dhe ka ardhë si pasojë e shtypjes mekanike të organeve të frymarrjes dhe enëve të gjakut me shtypje nga jashtë në regjionin e qafës (asfiksi mekanike, strangulimit)

Thyerja e kocës hioide e përshkruar në pikën 1 të përshkrimit të dëmtimeve e cila gjendet në regjionin e majtë të përparmë të qafës, me besueshmëri është shkaktuar gjatë strangulimit të regjionit të qafës.

Thyerja e barinjve të kafazit të kraharorit të përshkruar në pikën 2 të përshkrimit të dëmtimit janë shkaktar nga veprimi mekanik I mjetit të fortë mbretës (jo I mprehtë, I topitur) rreth kohës së vdekjes.

Nexhat e Jeton Vllasaliu po akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë” e “dëmtim i varrave apo kufomave”.

I ndjeri, Bedri Rexhepi siç ka njoftuar familja do të varroset nesër ( e enjte) në varrezat e qytetit të Shtimes.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT