I plagosuri në Velipojë: Shkuam për t’u sqaruar, por situata doli nga kontrolli, Gocajt qëlluan të parët

Zbardhet dëshmia e Hasan Verracakut (Ferracaku) që mbeti i plagosur në Velipojë, në përplasjen me armë ku humbën jetën katër shtetas, mes tyre vëllai i Ferracakut, Kujtimi.

54-vjeçari ka deklaruar për policinë se kishin shkuar në hotelin e familjes Gocaj për t’u sqaruar, pasi në plazh kishin pasur një debat për shezllonet dhe hapësirat e secilit. Sipas tij, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë nxjerrë armët, duke akuzuar vëllezërit Gocaj, të dy të vrarë se kishin qëlluar vëllain e tij Kujtimin dhe se ai kishte reaguar për vetëmbrojtje. Hasan Ferracaku ka thënë se nuk ka pasur vetë armë.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet njëkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT