I dashuri fshati im Llapushnik

Shkruan Fitim GASHI

Po të drejtohem si biri yt, dhe si njëri që tash e 22 vite e bëjë çdo përpjekje të ndritët historia jote e lavdishme, të ndritën sfidat dhe plagët tuaj dhe të të jepet vendi i merituar ashtu siç je dhe ashtu si e ke merituar gjithmonë.

I dashuri Fshati im, ty që ushqeve me bukën tende shumicën e politikaneve tanë, ti që mbajte në token tende shumicën e luftëtarëve tanë, ti që dhë gjithçka në shërbim të kombit e atdheut, ti që sakrifikove gjithçka në shërbim të idealit për lirinë, ti që u ujite me gjakun e dëshmoreve, martirëve e me plagët të çlirimtareve, nuk e meriton të mbetesh kështu.

Ty o Fshati im, që të kujtojnë vetëm në promovime betejash e të përvetësojnë politikisht, ty që të përkujtojnë se gjendesh në hartë vetëm në kohë fushatash zgjedhore për të kapërdirë një grumbuj votash, ty që të kujtojnë vetëm në kohë kur ju duhet kontributi yt, ke mbetur i harruar nga ata që i rrite me bukën tende.

Ty o Fshati im i quajtur Llapushnik, që lëkunde themelet e botës dhe tregove se ka zot në këtë tokë, ti që trishtove barbarinë serbe, ti që shpërndave kushtrimin e lavdisë, të mobilizimit e të lirisë, të harruan dhe të kujtojnë vetëm në kohë promovimesh politike e përvetësime meritash dhe rrahjegjakësi.

Ti që mobilizove në çdo shtëpi luftëtar, ti që dhe dëshmorë e martire, ti që bukën e gojës e ndaje me bijtë e tu Çlirimtare, ti që frymëzove edhe të porsalindurit e rrite shpresën në ëndrrat e lirisë së të moshuarve, mbete i harruar edhe 22 vite pas. Pra, ti vendi im e kreve obligimin ndaj atdheut edhe pse bitë/bijat e tua çlirimtare mbeten të harruar.

Sot, 22 vite pas kushtrimit të Lirisë, 22 vite pas betejave së lavdishme, 22 vite pas shkrimit të historisë, 22 vite pas mobilizimit të ushtrisë, nuk e ke një vend të ndarë për ta festuar EPOPENË, nuk ke një Përmendore për tu identifikuar, nuk ke një muze historinë për ta dëshmuar e nuk ke një hartë dëshmoresh lavdinë për ta përkujtuar. Pra ty fshati im të harruan sepse kurrë nuk u nënshtrove, nuk u servilose e nuk rrahë gjokse para atyre që degraduan çdo gjë në këtë vend.

Pra të dashur miq,

Fshati Llapushnik mbetet me papunësinë me të madhe në Drenas, mbetet me infrastrukturën me të dobët, edhe pse ka një numër të madh të invalidëve dhe veteraneve të UÇK-së askush nuk e kthen kokën për tu marr me hallet e tyre, edhe pse numëron mbi 450 të rinjtë me fakultet askush nuk e kthen kokën për t’i punësuar, edhe pse ishte njëra nder fshatrat me kontributdhënëse në rajon asnjëherë nuk rrahi gjoks për lavdinë e tij. Të gjithë ata që kalojnë nëpër Gryken e Llapushnikut dhe që premtuan rregullimin e saj turpi rëndoftë mbi ta, sepse ata as me shumë dhe as me pak janë gënjeshtarë të kohëmotshëm dhe të përhershëm.

Pra fshati im, rri krenar sepse historinë dhe lavdinë askush nuk mund ta merr!
Dashurinë dhe sakrificën askush nuk mund ta mohojë!
Vetëflijimin e kushtrimin e lavdisë askush nuk mund ta shlyej për teket e tyre!
Pra rri dhe qëndro ne Këmbë ashtu si ke qëndruar lavdishëm gjatë gjithë historisë.

Urime për shumë mot Epopeja e Lavdisë!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT