Hyseni në Bruksel ripotencon padrejtësinë që po i bëhet Kosovës me vizat

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka filluar të hënën një vizitë dyditore në Bruksel, me ç’rast do të ketë takime të shumta në Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.
Ai sot para dreke është pritur nga Drejtori i Press Klubit të Brukselit (Press Club Brussels-Europe), Viktor Sidabras, ku më pastaj u është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve dhe diplomatëve të shumtë në këtë prezantim.
Në prezantimin e tij dhe reagimin ndaj pyetjeve të pranishmëve, Hyseni foli për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, duke u ndalur në veçanti tek luftimi i krimit dhe korrupsionit, luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e rendit dhe sigurisë.
Temë e veçantë në këtë takim me gazetarë dhe diplomat ishte edhe liberalizimi i vizave dhe migrimi i parregullt i qytetarëve të Kosovës.
Edhe kësaj radhe, Ministri Hyseni nënvizoi se “është e padrejtë që Kosova të vazhdojë të mbetet e izoluar nga e drejta e lëvizjes pa viza në zonën Schengen”.
Një takim tjetër të gjatë shumë miqësor dhe përmbajtjesor, Ministri Hyseni pati në Parlamentin Evropian, ku u prit nga Eurodeputeti Tonino Picula, raportues i PE-së për Bosnjën dhe Kosovën.
Ministri falënderoi deputetin Picula dhe Parlamentin Evropian për përkrahjen e fuqishme që i jepet pavarësisë së Kosovës, si dhe integrimit të saj në BE.
Mirënjohje e veçantë iu shpreh në këtë rast Parlamentit Evropian për përkrahjen që ky institucion i jep Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT