Hyseni i Drenicës: Udhëtojmë në Prishtinë veç për rezultat pozitiv

Një ndër lojtarët kyç të Drenicës, Hasan Hyseni beson se takimi ndaj Prishtinës do të jetë mjaft i vështirë.

Prishtina do të mirëpresë Drenicën nesër me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, për ta luajtur takimin gjysmëfinal të DigitAlb Kupës së Kosovës në futboll.

Sulmuesi 23 vjeçar i Drenicës, Hyseni beson se ky duel është shumë i rëndësishëm – ndërsa pretendon se ai dhe ekipi i tij do të udhëtojnë për në kryeqyetet vetëm për rezultat pozitiv.

“Koha e pandemisë ka qenë mjaft e vështirë për ne si futbollist, jemi munduar që të mbajmë formën fizike duke stërvitur individualisht. Nesër nuk do të jetë e lehtë aspak, mirëpo ne do udhëtojmë që të marrim rezultat sa më të favorshëm”, tha fillimisht Hyseni për ‘GazetaBlicSport’.

Ai shpreson se skuadra e tij mund ta befasojë Prishtinën në duelin e nesërm.

“Do të jetë mjaft vështirë, sepse Prishtina ka ekip mjaft cilësor – por edhe ne në mesin tonë kemi lojtarë cilësor dhe shpresojë që ta befasojmë ekipin kundërshtar”, vazhdoi sulmuesi i njohur kosovar.

Takimi mes Prishtinës e Drenicës, ashtu si të gjitha duelet tjera të Superligës së Kosovës nga tani e tutje, do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.

Hyseni i bën thirrje “Shqiponjave të Zeza” që të qëndrojnë të qetë dhe të jenë të durueshëm – pasi në të ardhmen e afërt ata mund t’u rikthehen shkallëve të stadiumeve kosovare.

“Tifozët duhet të kenë durim dhe të iu përmbahen rekomandimeve të IKPSHK’së në këtë fillim, pastaj shpresojë që të lejohen edhe tifozët në stadiume, sepse pa tifozë, futbolli është i mangët”, përfundoi Hyseni.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com