Sh.F, 61-vjeç nga Komuna e Drenasit, i prekur me kancer në mushkëri, dyshohet se për shkak të analizave të kryera në një laborator privat ka filluar të trajtohet me kimioterapi pa pasur nevojë, shkruan IndeksOnline.

Familjarët e pacientit kanë rrëfyen për IndeksOnline se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Sipas tyre, laboratorët privat në Kosovë nuk janë të sigurt kur kryejnë shërbime.

Ata thanë se biopsia e kryer në laboratorin “Patohistologji” në Prishtinë ka shtyrë që familjari i tyre Sh.F të hyjë në kimioterapi.

Mirëpo, sipas tyre, me rekomandim të onkologëve, pacienti kishte shkuar në Shkup për të kryer edhe disa analiza më të thella, ku gjersa iu kthye përgjigja kishe marrë kimioterapinë e parë.

Familjarët për IndeksOnline pohuan se në analizat e marra nga Shkupi rezultoi se pacienti mund të shërohet me barna, pa u trajtuar me kimioterapi.

“Ne kemi shkuar te pulmologu për kontroll, na është sygjeruar të bëjmë biopsinë, për shkak të vonesës që të hyjmë në listë për ta kryer në QKUK me sygjerim të mjekëve e bëmë tek laboratori “Patohistologjia”. Kemi shkuar aty e kemi bërë biopsinë dy herë,  kemi shkuar të pulmologu ku na kanë sygjeruar të shkojmë të onkologu për të shikuar mundësinë e marrjes së kimioterapisë. Kur kemi shkuar në Onkologji u vendos që të merret terapia, sipas analizave që panë, mirëpo thanë të bëhet edhe një analizë tjetër në Turqi ose në Shkup diçka për “imuno”, por gjersa na është kthyer përgjigja nga Shkupi pacienti ka marrë kimioterapinë. Në përgjigjen e Shkupit kërkohej të bëhen analiza më të thella ku doli pastaj që pacienti ka një lloj tjetër të kancerit i cili mund të shërohet me barna, s’ka pas nevojë me marrë kimioterapinë fare”, kanë deklaruar familjarët e pacientit nga Drenasi.

Kurse nga laboratori “Patohistologjia” në një përgjigje me shkrim për IndeksOnline kanë pohuar se Sh.F ka kryer ekzaminimet në këtë laborator.

Ndërkohë ata nuk kanë treguar se cili ishte dallimi në mes analizave të kryera në laboratorin e tyre dhe të atyre në Shkup.

“Bazuar në ekzaminimin e kryer në laboratorin tonë është dyshuar në kancer, prandaj është kërkuar të përsëritet biopsia për të siguruar një mostër më adekuate, që do të shërbente për të bërë evaluimin shtesë të indeksit proliferativ të lezionit në një mostër tjetër.

Poashtu është kërkuar korrelacion klinik për pacientin dhe assesi nuk është sugjeruar të ipet kimioterapia, ngase nuk ka qenë diagnozë definitive. Kimioterapia ipet pasi të jetë diagnoza definitive për kancer.

Pacienti ka përsëritur biopsinë sipas rekomandimit tonë dhe ka rezultuar si carcinoid, i cili mund të operohet.

Pas përsëritjes së biopsisë në Shkup sipas rekomandimit tonë, familjarët kanë ardhur me ofendime dhe fjalë banale ndaj të gjithë stafit, prandaj nuk pranohet të bisedohet në këtë nivel. Për më shumë ekzistojnë rrugë ligjore për të adresuar këtë sjellje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, familjarët e 61 vjeçarit bënë të ditur se kanë hyrë në procedura të ngritjes së një padie ndaj këtij laboratori.

“Ne ishim në Polici për të hap rast ndaj laboratorit, mirëpo na rekomanduan të orientohemi në Inspektorat Shëndetësor. Tash i kemi marrë formularët për t’i plotësuar”./IndeksOnline/