Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e PDK-së, para të cilëve ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.

Hoxhaj ka thënë që në qeverisjen e PDK-së, të rinjtë që studiojnë në universitetet publike do t’i kenë studimet falas.

Ai ka theksuar se nuk ka parti politike në Kosovë, e cila është krijuar prej rinisë dhe se nuk ka parti politike që e ka pasur prioritet rininë më shumë se PDK.

“Për të gjithë ata që studiojnë në universitete publike e kemi ulur pagesën në të kaluarën shumë, por tash pagesa për semestër në universitete publike do të jetë zero. Së dyti, do t’i ofrojmë çdo studenti Kartën e Studentëve dhe 50 përqind e kësaj karte do të financohet nga qeveria e vendit. Së treti, do të ofrojmë një grant prej 15 milionë eurosh i cili grant do të ofrojë mundësi që të rinjtë dhe të krijojnë ndërmarrje të vogla, ndërmarrje te mesme në fushën e teknologjisë, në fushën e dizajnit dhe në fusha të tjera të ndryshme që ata të krijojnë vende të reja të punës dhe ta punësojnë vetën dhe të tjerët”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hoxhaj përsëri ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të përballet në debat me të.

“Prapë po i them, dil matu. Kur u bë kryeministër, se unë dhe Albini e kemi një dallim, unë jam profesor i shkencave politike, ai ka studiuar elektroteknike, krejt në rregull është, por kur u bë kryeministër ju kujtohet pat fol gjysmë ore për një farë teli të bakrit qysh lidhet teli i bakrit. Unë kam pasur përshtypjen që si njeri që vjen prej elektroteknikës të paktën dinë të lidh rrymën mire, po në momentin që ja nisi me bashkëpunua me Amerikën e zuri rryma me Grenellin dhe me Amerikën. Prandaj, as nuk ka ide në elektroteknikë as nuk ka lidhje me politikë, mundet me fol me tela të bakrit, mund ta zë rryma, po e vetmja parti politike e cila mund ta udhëheqë Kosovën, e cila mund ta ndryshojë Kosovën, e cila do ta ndryshojë Kosovën është PDK. Ne do ta udhëheqin qeverinë e Kosovës, unë do të jem kryeministër i Kosovës, Albini mundet me i lidh telat e bakrit. Me të tjerët nuk merremi se nuk janë në garë me neve”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se në këto zgjedhje PDK hyn pa dy njerëzit më të dashur, kryetarin e partisë Kadri Veseli dhe presidentin e vendit Hashim Thaçi, e për hir të tyre e të UÇK-së ai ka ftuar të rinjtë që të mobilizohen për fitoren e PDK-së.

Kryetari i rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që ka vizion për të ardhmen dhe për të rinjtë e vendit.

“Ne kemi vizion edhe për të ardhmen. Jemi partia politike me programin më të mirë për të rinjtë e vendit. Rimëkëmbja është slogani që do të fitojë në Kosovë”, ka theksuar Bislimi.