Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot disa biznese prodhuese vendore në komunën e Vushtrrisë, të cilave u ka premtuar se Qeveria e udhëhequr nga ai do të jetë partner i tyre.

Për të përballur efektet negative të pandemisë në sektorin privat, Hoxhaj ka theksuar se ekipi i Rimëkëmbjes ka dizajnuar fondin 1 miliard eurosh, ku 500 milionë janë të dedikuara për biznesin dhe ndërmarrësin në Kosovës ndihmë direkte dhe pa kthim.

Këto mesazhe, Hoxhaj i shoqëruar nga nënkryetari Bedri Hamza, i ka dhënë gjatë vizitave në kompaninë e njohur kosovare, Vipa, si dhe Albed dhe Missini.

“Ne jemi të vendosur që ta zhvillojmë sektorin privat se nuk ka sektor tjetër, i cili mund të krijojë vende të reja të punës, i cili mund ta rritë ekonominë e vendit, ne nuk mund ta rrisim territorin po mund ta rrisim ekonominë e vendit. Nuk ka sektor, i cili mund ta rritë mirëqenien e qytetarëve sikurse sektori privat dhe ky do të jetë prioritet kryesori i Qeverisë të cilën do ta udhëheq unë si kryeministër i Kosovës. Natyrisht që ne jemi partnerë të biznesit në Kosovë dhe do të ofrojmë mbështetje institucionale, do të ofrojmë mbështetje përmes politikave konkrete fiskale, lehtësira fiskale dhe do të jemi partnerë të tyre që këtë punë të madhe që këta po e bëjnë edhe t’u ndihmojmë që t’i eksportojmë produktet e tyre jashtë, po të jenë edhe një lloj imazhi i ri, një lloj brendi i ri i një Kosove të re, e cila po ndërtohet çdo ditë nga ndërmarrës të suksesshëm”, ka thënë ai.

Plani i rimëkëmbjes së PDK-së parasheh që në tatimin në të ardhura të korporatave, të gjithë investitorët do të kenë stimulime të ndryshme, të cilat u mirëpritën nga përfaqësuesit e bizneseve.

Sipas planit të PDK-së për rimëkëmbje, në investimet mbi 100,000 euro, që krijojnë mbi 5 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 8 %, derisa në investimet prej 500,000 deri në 1 mil. euro, që krijojnë mbi 8 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 7 % për 10 vite. Ky plan parasheh që në investime prej 1 mil. deri në 3 mil. euro, që krijojnë mbi 20 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do ta jetë 5 % për 10 vite, si dhe në investime mbi 3 mil. euro, që krijojnë mbi 30 vende të punës, tatimin në të ardhura të korporatës do të jetë 0 % për 10 vite.

Në këto takime, Hoxhaj dhe Hamza kanë njoftuar prodhuesit që me qeverisjen e PDK-së, tatimi doganor do t’u kthehet të gjithë prodhueseve me rastin e eksportit në qoftë se për mallin, i cili ka marrë pjesë në prodhim është paguar tatimi doganor me rastin e importit.

Në fund ata kanë theksuar se tatimi i Akcizës do t’u kthehet të gjithë prodhueseve me rastin e eksportit në qoftë se me rastin e prodhimit ndonjë mall ka marrë pjesë në proces të prodhimit për të cilin është paguar akciza qoftë në brendi të vendit ose me rastin e importit.