Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe Sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili, janë pritur në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në takim me kryeministrin Rama, krerët e PDK-së për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe nevojën e unifikimit të faktorit shqiptar në mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hoxhaj e ka falënderuar Ramën për qëndrimin dinjitoz dhe mbështetjen e madhe që u ka dhënë liderëve të UÇK-së.

“Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo histori moderne nuk mund të rishkruhet kurrë dhe nga askush dhe qëndrimi i kryeministrit Rama ka qenë shumë dinjitoz. Kemi biseduar edhe për tema tjera për interesat e përbashkëta të të dy vendeve, por qëndrimi i kryeministit Rama sa i përket Gjykatës Speciale ka qenë i qartë. Atje nuk është as Kadri Veseli, as Hashim Thaçi në mënyrë individuale, por kauza e luftës sonë për liri qëndron para një gjykate.”, ka thënë Hoxhaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur mirënjohje për falënderimin e marrë nga Hoxhaj duke theksuar se mbështetja për liderët e UÇK-së është detyrë e secilit.

“Ishte kënaqësi të prisja miqtë nga Prishtina. Ishte një takim më emocional se zakonisht pasi kushtet janë të posaçme për faktin se udhëheqësit e UÇK-së, udhëheqësit e Kosovës dhe UÇK-së e PDK-së janë marrë peng siç është marrë peng historia e Kosovës. Kur them pengje e kam parasysh jo vetëm qenien fizike të Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve, por pengu më i madh është e vërteta e luftës.”, ka thënë Rama.

Tutje, ai ka shtuar se kjo e keqe do të kalojë si tjerat dhe e vërteta për UÇK-në dhe Kosovën do të triumfojë.