Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj po merr pjesë në konferencën e kryetarëve të Komisioneve për Punë të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Në diskutimet për të ardhmen evropiane të vendeve të rajonit, kryetarët e Komisioneve kanë folur për nevojën më të madhe të bashkërendimit të angazhimeve në politikën e jashtme për ta bërë më lehtë të arritshëm anëtarësimin në familjen evropiane. Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se Kosova në vitet e fundit, e veçmas në politikën e jashtme është shembulli si duhet adresuar sfidat e jashtme dhe me fqinjët përfshirë dialogun me Serbinë, çështjen e demarkacioneve dhe tema të tjera të bashkëpunimit. Ai u ka kërkuar homologëve të tij nga rajoni përkrahjen për anëtarësimin e Parlamentit të Kosovës në organizatat rajonale pasi është njëri ndër më të izoluarit në rajon.

“Ne çdo ditë flasim për bashkëpunimin në rajon. Kemi ndërmarrë edhe iniciativa konkrete sikurse është kjo konferencë sot. Por duhet të zbresim në rrafshin praktik të konkretizimit të planeve tona. Parlamenti i Kosovës edhe më tej fatkeqësisht mbetet një nga institucionet më të izoluara dhe kërkoj përkrahjen Tuaj për anëtarësimin e tij në shumë forume e organizata rajonale parlamentare”, ka thënë Hoxhaj.

Në margjina të konferencës, Hoxhaj ka takuar edhe homologët dhe përfaqësuesit e komisioneve nga Bullgaria, Boris Stanimirov, atë maqedonas, Antonijo Miloshoski, malazez e austriak.

Konferenca është organizuar nga Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë.