Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga nënkryetari i PDK Bedri Hamza, ka takuar sot përfaqësues të bizneseve në vend, me të cilët ka debatuar për programin e rimëkëmbjes ekonomike të cilin e kanë prezantuar ditën e djeshme.

Hoxhaj duke iu drejtuar përfaqësuesve të bizneseve tha se nuk ka ndonjë subjekt politik si PDK e cila e sheh sektorin privat partner të mirëfilltë të saj, pasi tha se e dinë se ata që mund të krijojnë vende të punës, ata që mund të rrisin ekonominë janë përfaqësuesit e biznesit privat.

“Ne mendojmë që programi jonë për zhvillim ekonomik përbëhet prej dy pjesëve, pjesa e parë është që duam të menaxhojmë dëmet të cilat janë krijuar nga pandemia në raport me zhvillimin ekonomik të vendit. Në pjesën e dytë e mendojmë që duhet të ketë një pako stimuluese e cila pako stimuluese duhet t’i adresojë të gjitha pritjet, shqetësimet dhe problemet të cilat ju i keni si rezultat i pandemisë. PDK ju sheh partner për ta zhvilluar vendin, për të krijuar vende të reja të punës, për ta rritur ekonominë e vendit dhe mirëqenien e vendit dhe këtu jemi shumë të vendosur. Së dyti, është e vetmja parti e cila ka program të qartë elektoral, ne duam që këtë vend ta bëjmë vend demokratik dhe në demokraci në kohë të zgjedhjeve partitë politike i prezantojnë ofertat e tyre elektorale, i debatojnë ofertat elektorale dhe marrin përsipër obligimet në raport me shtresat e caktuara, me biznesmen të caktuar se çka duhet të ndryshohet. Këtu jam i bindur që jemi shumë kredibil se edhe në të kaluarën kur kemi bërë premtime të caktuara nuk kanë qenë premtime po kanë qenë zotime të cilat i kemi zbatuar sapo kemi ardhur në pushtet. Së treti ne e kemi një listë të masave konkrete të menjëhershme të cilat do t’i adresojnë të gjitha problemet, kërkesat, pritjet që i ka sektori privat në 100 ditëshin e parë dhe në mandatin tonë”, tha ai.

Ai është shprehur i bindur se gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë së vendit do të ndryshojnë gjendjen ekonomike në vend, derisa tha se janë të vendosur që të adresojnë të gjitha problemet që bizneset i kanë si pasojë e pandemisë.

Hoxhaj tha se dy partitë tjera, LVV e LDK, kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19, derisa tha se të njëjtat kanë dështuar më pastaj edhe në adresimin e pasojave që pandemia ka pasur tek bizneset.

Partia Demokratike e Kosovës, ka prezantuar Bedri Hamzën si ministër të Financave kur të vije në qeveri, e i njëjti para bizneseve ka treguar detaje të programit të rimëkëmbjes.

“E para ke përkrahja e sektorit privat, fond rreth 1 miliardë euro, pse, nuk ngjallet ekonomia pa u zhvilluar sektori privat. Mbi 500 milionë euro janë të parapara grante direkte, para pa kthim, shteti ka me iu dhënë bizneseve në mënyrë transparente përmes buxhetit me kritere të qarta. Ka me u diskutua në Kuvend krejt le ta shohin, le të vijnë edhe ata që përfaqësojnë bizneset le të marrin pjesë në shpërndarje të tyre. Nuk janë pak para, nëse ndahen mirë, nëse bëhen e duhet me ndodh ato janë goxha shumë para. Subvencionimi i normave të interesit, të gjitha ndërmarrjet prodhuese pa dallim edhe eksportuese është një ndihmë e madhe, se nëse në këtë krizë biznesi punon e fitimin e hajnë normat e interesit, kjo nuk funksionon, po nëse dikush mendon që banka duhet me të dhënë kredi pa norma të interesit ne nuk guxojmë të shkatërrojmë sistemin bankar se e rrënojmë shtetin, prandaj është paraparë subvencionimi i normave të interesit që është qindra miliona euro”, tha ai.

Hamza tha se TVSH nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi , siç ka ndodhur deri tash, por mbledhja përkatësisht pagesa e TVSH-së do të bëhet në brendi të vendit, ndërsa tha se do të ndodh edhe rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive deri në 100% për të mbështetur apo për të garantuar projekte të ndryshme investuese në shumë prej 100% për bizneset.

Përfaqësuesit e bizneseve diskutuan lidhur me projektin e rimëkëmbjes ekonomike të prezantuar nga PDK, për çka kërkuan edhe sqarime të detajuara se si do të zbatohet ai.

Zeqa Bakolli nga kompania “Fitorja” në Ferizaj, tha se programi i PDK-së është ai i duhuri për bizneset në vend.

“Po e shfrytëzoj rastin që në emër të këtyre kolegëve të mi t’iu urojmë suksese z. Hoxhaj, shpresoj që së shpejti t’iu drejtohemi me z. kryeministër. Ndërsa z. Hamza si ministër. Duke e parë që afër vetes e keni z. Hamza, ne nuk kemi kurrfarë dileme që z. Hamza me pikat që i ka në programin e tij, janë ato gjërat elementare që neve na duhen si në sektorin e ndërtimtarisë, të prodhimit e të tjera. Më mirë se z. Hamza kush tjetër ka me na përfaqësu në fushat e biznesit tonë ”, tha ai. /DrenicaPress/