Hoxha nga Klina që u del në ndihmë të gjithëve, qofshin katolikë apo myslimanë

Në kuadër të aktiviteteve humanitare, dje në Klinë nën mbikëqyrjen e hoxhës Blerim Musliu, janë shpërndarë 30 pako (për 30 familje) me vlerë nga 40 euro secila prej tyre.

Musliu ka sqaruar për Telegrafin se më meritorët për realizimin e këtij aksioni humanitar janë disa bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

“Edhe kësaj radhe, ndihmat të cilat na janë besuar neve për t’i shpërndarë tek nevojtarët, kanë shkuar tek ata të cilët ne besojmë se kanë nevojë më së shumti. Për ne është prioritet që t’i ndihmojmë nevojtarët, pavarësisht besimit fetar të cilin e kanë ata. Jam krenar të them se edhe këtë herë janë ndihmuar disa familje të besimit katolik”, ka shtuar Musliu.

Ai ka shtuar se në këtë aksion është vetëm ndërmjetësues.

Ndryshe, hoxha Blerim Musliu, më herët në njërën nga ligjëratat e së premtes ka bërë thirrje publike nga foltorja e xhamisë që t’i dilet në ndihmë një personi të besimit katolik, me vështirësi ekonomike, derisa ky i fundit i ishte drejtuar këtij institucioni për ndihmë. /Telegrafi/