Imami nga Drenasi, Osman Musliu, ka kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për një fotografi me Papën, që i pari i vendit mban në zyrën e tij.
Musliu ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se do ta padiste Thaçin për këtë fotografi me udhëheqësin e 1.3 miliard katolikëve të botës, të shkrepur në Vatikan.
Ai ka kujtuar se Thaçi përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe se presidenca është e mbarë popullit.
Sipas tij, Thaçi, si president, nuk guxon të bëjë dallime fetare.
Osman Musliu, ka folur përsëri për përplasjet e tij me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Sipas hoxhës nga Drenasi, Lladrovci i ka sjelljet e pahijshme, dhe ofendon njerëzit publikisht.
“S’jam kundër Lladrovcit si person”, ka deklaruar Musliu, teksa ka shtuar se i pengojnë sjelljet e kreut të Drenasit.I pyetur se çfarë komenti ka për deklaratën e Lladrovcit, se Musliu është rrenës, hoxha është përgjigjur: “Nuk ndihem i ofenduar nga Lladrovci”.Ai ka thënë se s’është rrenës, dhe se këtë e di i tërë Drenasi, e tërë Drencia, dhe e tërë Kosova.