Ende pa u hedhur në votim dhe pa u votuar pikat e rendit të ditës të cilët kanë qenë të caktuara për t’u diskutuar sot nga anëtarët e Këshillit Prokurorial, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha kërkoi që anëtarja Sevdije Morina dhe Jetish Maloku ta lëshonin mbledhjen pasi qëndrimi i tyre aty paraqet konflikt interesi, por shumica e anëtarëve nuk u pajtuan me këtë veprim të Hoxhës dhe ai lëshoi mbledhjen me arsyetimin se nuk dëshiron ta shkelë ligjin.
Kjo menjëherë ngjalli reagime dhe pakënaqësi tek anëtarët e këshillit, të cilët këtë veprim e quajtën shumë të ulët dhe të papritur.
Njëri nga anëtarët, Florent Muçaj insistoi që mbledhja të anulohej dhe të shtyhej për një ditë tjetër, ndërsa Sevdije Morina kërkoi vazhdimin e saj.
Drejtuesi i kësaj mbledhjeje Idain Smailji vendosi për 30 minuta pauzë për t’u kthyer sërish në diskutim. /Kosovapress/