Hoti për Kurtin dhe Osmanin: Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka quajtur “anarkistë, hipokritë e mashtrues”, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka thënë që presidentja Osmani “pati nxjerrë vrer dhe urrejtje patologjike” për nënshkrimin me të cilën pati ardhur njohja nga Izraeli, por që për një vit qe shtyrë aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën. Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”.
“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri. Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:
– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. – Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka shkruar tutje ai.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT