Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pasi në Kuvendin e Kosovës nuk arritën të kalojnë pesë marrëveshjet ndërkombëtare.

Hoti përmes një postimi në Facebook u ka kërkuar deputetëve të mos bllokojnë punën e Qeverisë dhe të votojnë marrëveshjet, të cilat përfshijnë projekte investuese.

Tutjen ai ka kërkuar që në Kuvend të diskutohet për buxhetin e rishikuar, ashtu që, sic thotë Hoti, t’i dilet në krah bizneseve e punëtorëve që akoma s’janë paguar për shkak të gjendjes së prekur nga pandemia.

Shkrimi i plotë i kryeministrit:

Kuvendi i Kosovës dështoj t’i votoj sot pesë marrëveshje ndërkombëtare! Këto dokumente që presin të votohen, janë të një rëndësie të veçantë për shkak se janë marrëveshje ekonomike për projekte investive dhe zhvillimore në Kosovë!

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë urgjente për mbështetje institucionale, ndërsa Qeverisë së Kosovës duhet t’i lejohet të vazhdoj me implementimin e masave në kuadër të pakos për Rimëkëmbje ekonomike!

Andaj, ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të paktën kur kemi të bëjmë me projekte zhvillimore dhe fonde mbështetëse për infrastrukturë, të marrim përgjegjësitë kushtetuese që na takojnë! Në Kuvend duhet t’i hapet rrugë diskutimit për Buxhetin e rishikuar, që t’i dalim në krah bizneseve të cilat rrezikojnë të shuhen, t’i dalim në krah punëtorëve që nuk i kanë marrë pagat, të mbrojmë prodhimin vendor dhe t’i mbështesim qytetarët në nevojë!