Kryeministri Avdullah Hoti ka qëndruar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ku ka prezantuar kornizën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka theksuar se si Qeveri kanë marrë legjitimitetin që projekti i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran të jetë i panegociueshëm, njofton Klan Kosova.

“Dialogu do të zhvillohet vetëm mbi bazën e Kushtetutës, proces të cilin e udhëheq kryeministri i vendi”, ka thënë Hoti.

“Nuk do të bëj garë me bartësit institucionalë sepse kompetencat e mia janë të qarta. Kompetencat e mia janë betonuara me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tri parime kryesore që duhet t’u përmbahemi janë; 1: Integriteti territorial është i panegociueshëm. Nuk dua dhe nuk kam mandat të diskutoj për integritetin territorial; 2:  Marrëveshja që duhet të arrihet për njohje reciproke duhet të sigurojë që konflikti të zhduket; 3: Organizimi kushtetues është i panegociueshëm. Marrëveshja që duhet të arrihet duhet të jetë në frymën kushtetuese”.

Hoti ka thënë se objektiv i Qeverisë së Kosovës është që dialogu të përfundojë me njohje reciproke.

“S’ka kuptim asnjë marrëveshje që nuk siguron njohje reciproke, jo modele si të dy Gjermanive… por që menjëherë na siguron ulëse në OKB dhe njohje nga pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur. Objektivi yni është që të adresojmë të gjitha çështjet e hapura:  të pagjeturit, dëmet e luftës, suksesioni i pasurisë, kthimi i pensioneve, artefakteve… Besoj që me njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB do të adresohen më lehtë”.

Hoti është shprehur se në dialog gjithçka do të jetë transparente dhe asgjë nuk do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura.