Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka vizituar sot menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në shenjë falënderimi për punën e jashtëzakonshme që ka bërë personeli shëndetësor gjatë këtij viti.

‘’Është bërë punë e jashtëzakonshme duke u marrë edhe si model për mënyrën se si është menaxhuar kjo situatë, në veçanti kur i kemi resurset e kufizuara si me mjekë, shtretër dhe pajisje. Është një falënderim, i cili nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, ndaj: Faleminderit në emër të të gjithë qytetarëve për punën që e keni bërë”, tha Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti vlerësoi sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve në respektimin e masave anti Covid-19, duke theksuar nevojën e vazhdimit të mobilizimit, me shpresën se për 3-4 muajt e ardhshëm do të dalim nga kjo situatë.

Kryeministri Hoti theksoi se, është bërë përpjekje maksimale që Kosova të jetë në mesin e vendeve të para që e marrin vaksinën kundër Covid-19.

“Kemi një plan veprimi, i cili është përgatitur për grupet e caktuara që do të jenë në mesin e të parëve që e marrin këtë vaksinë”, u shpreh Kryeministri Hoti.

Në këtë vizitë Kryeministri Hoti, ishte i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, UD i Drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.