Hoti: Do të shfrytëzojmë spitalet rajonale e private për trajtimin e pacientëve me koronavirus

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie ka bërë të ditur masat e reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

Hoti ka thënë se do krijojnë kapacitete shtesë me pajisje, duke organizuar komplet klinikat e QKUK-së, spitalet rajonale dhe ato private që të lëshojnë shtretërit e tyre për pacientët që do dërgohen nga QKUK, shkruan Reporteri.net.

Këto masa të reja u morën pas takimit të kryeministrit Hoti me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës dhe pritet të votohen në mbledhjen e Qeverisë që do mbahet në ora 15:00.

Ky takim vjen në kohën kur në Kosovë, është rritur numri i të infektuarve nga koronavirusi dhe rastet e vdekjeve nga ky virus.

Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit janë regjistruar 557 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Vetëm gjatë të shtunës, autoritetet kanë konfirmuar se nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur tetë pacientë.

Gjatë ditës, mediat kanë raportuar se edhe pesë pacientë kanë vdekur nga koronavirusi, teksa aktualisht në Kosovë janë 66 raste të konfirmuara të vdekjeve nga ky virus. /Reporteri.net/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT