Homazhet për policin e vrarë Ibrahim Bashën, Tahiri: Dora e pabesë do të ndëshkohet

“Sfidat na bëjnë më të fortë, vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë”. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në homazhet e zhvilluara për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, i cili u vra në Lazarat.

“Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, po ti ishe hero dhe për së gjalli me shokët e tu, të vendit tënd dhe të huaj. E gjithë Shqipëria u shtang se dora e krimit dhe terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd, ku luftë nuk ka, po ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoqë që kanë mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë, siç është dhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën ty. Luftove për të bërë të lirë e të sigurt vende të tjera e popuj të tjerë, po jetën tënde e dhe për popullin tënd, këtu në vendin tonë”, vijoi ministri.

Tahiri u shpreh më tej: “Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka mbi dy dekada që rritet për t’i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin, drejtësinë. Ajo dorë mori jetën tënde, në atë fshat plot me njerëz të ndershëm, po ku kanë mbetur ende disa kriminale të përdorur. Në atë fshat që vjet e çliruam nga droga e krimi po që nuk kemi mbaruar ende. Ti dhe shokët e tu dini diçka që nuk e thoni kurrë, dini diçka që publiku nuk e di shpesh, krimit i mjafton të ketë sukses një herë në 100 apo 1000 raste, ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. E djeshmja ishte dita jote e pafat, Ibrahim. Na kanë vrarë të gjithëve nga pak, ajo dorë ka goditur shtetin”, tha Tahiri.

Rama: Ibrahim Basha, simbol i sakrificës

I pranishëm në homazhet që u zhvilluan për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili u shpreh se Ibrahimi ra në krye të detyrës në kohë paqe.

Kryeministri theksoi se efektivi i rënë në krye të detyrës, është një dëshmi e gjallë e vlerës së paçmueshme dhe e nevojës për të kujtuar gjithnjë se paqja nuk është dhurata e zotit por sakrificë e njerëzve që nuk i njohim dhe s’do t’i njohim kurrë.

“Unë nuk e kam njohur Ibrahimin, as ju që jeni të pranishëm këtu nuk e keni njohur. Ne nuk dimë asgjë për Ibrahimin. Nuk dimë as si u ndje kur iku të luftonte jashtë atdheut, ne nuk e njohim dhe nuk kemi për ta njohur ndonjëherë, por erdhëm për ta nderuar. Prania jonë është një kujtim për rrugën e tij të re. Fjalët tona nuk mund ta zbusin zemrën e bërë gur të familjes së tij. E ardhmja dhe ëndrra e tij kanë mbaruar.

Duke nderuar këtë njeri që nuk na lidhe asgjë nuk ulemi para një të vdekuri, por përpara një simboli të sakrificës. Trupi që kemi përpara është shëmbëlltyra e një ideali.

Ai ishte në anën e çdo familje shqiptare. Ju familja e Ibrahimit i mësuat vlerën e nderit të respektit dhe të detyrës. Më duket e kotë çdo frymëmarrje teksa djali juaj nuk merr frymë. Mos e torturoni veten me kujtime që ju la. Mendoni sesa shumë familje shqiptare janë mirë falë sakrificave të djalit tuaj.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT