Hetimet ndaj EULEX-it për korrupsion mbyllen në fund të muajit

    Hetimet ndaj Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që po zhvillohen nga Bashkimi Evropian për skandalin për korrupsion në këtë mision, pritet të mbyllen në fund të marsit.
    Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogerini, Maja Kociançiq, konfirmoi se hetimet e nisura që prej muajit dhjetor, kur prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, akuzoi një prej gjykatësve se kërkonte shuma deri në 300 mijë euro për të liruar të dyshuarit, janë afër përfundimit.
    “Momentalisht po zhvillohet një hetim, gjithashtu e dini se një ekspert ligjor i pavarur po merret me këtë çështje. Atij i është lënë afat katër muaj për ta kryer këtë detyrë, presim që raporti i tij të jetë gati në fund të këtij muaji”, ka thënë ajo.
    Megjithatë, Kociançiq nuk pranoi të komentonte për skandalin e fundit për shantazh ndaj kryetari të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në rastin Kleçka, të cilin po ashtu e zbuloi ‘Koha Ditore’.