Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas mohimit të masakrës së Reçakut nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mohimin e masakrës së Reçakut nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si urrejtje patologjike të tij nga shqiptarëve.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se më mohimin e masakrës së Reçakut, po dëshmohet qartë “se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, përcjell lajmi.net.

Ai ka thënë se është për keqardhje që Bashkimi Evropian Serbinë po e cilëson si shtet favorit për anëtarësim.

“Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj.

Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon. /Lajmi.net/