Ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ekonomia e vendit po rrezikon të shkojë në pikën zero.

Haradinaj ka thënë se Qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht, duke i përkrahur prodhuesit vendorë, ndërsa ka përmendur dhkallën e lartë të deficitit.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Ekonomia e vendit kërkon vëmendje të përhershme. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregtar, përmes përkrahjes direkte të prodhuesve vendor, veçanërisht të eksportuesve.

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për Tregtinë e Jashtme të Mallërave në Kosovë, për muajin mars 2021, tregojnë për rritje të deficitit tregtar në shkallë 45.8% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deficiti i cili në marsin e kaluar ka qenë 219.9 milionë euro, në marsin e këtij viti ka arritur në 320.7 milionë.

Thellimi i mëtutjeshëm i raportit të tregtisë së jashtme në disfavor të eksportit, është rrënim i atyre pak të arriturave të deritashme dhe kthim i ekonomisë së Kosovës në pikën zero.

Andaj, e ripërsëris që qeveria urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit.

RH