Bordi i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka marrë vendim për hapjen e garës për telefonin e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor për territorin e Republikës së Kosovës.
 Ky autoritet më 12 mars ka marrë vendim që të hapet ankandi publik për brez të ri frekuencor, që nënkupton hapje të tenderit për telefoninë e tretë mobile. Kjo është bërë e ditur të enjetn nga kryetari i bordit të ARKEP, Ekrem Hoxha, në një intervistë të dhënë për “KosovaPress”.

Hoxha nuk e ka përjashtuar mundësin e pjesëmarrjes në garë edhe të operatorëve serbë.

Po ashtu ai ka thënë se edhe operatorët tjerë mobil që janë të licencuar në Kosovë, si “Vala”, “Ipko”, “Z mobile” e “D3”, kanë të drejtë pjesëmarrje në garë.

“Pikërisht këtu është ajo esenca e garës, ankandi dhe tenderi si kategori ligjore nuk mundësojnë vendosjen e kritereve diskriminuese në një ankand të hapur ku përcaktohen kriteret. Çdo ndërmarrje qoftë vendore qoftë ndërkombëtare, e cila i plotëson kriteret e pjesëmarrjes të kualifikimit teknikisht dhe ligjërisht është e pranueshme për pjesëmarrje”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se ata që i plotësojnë kriteret dhe e fitojnë të drejtën e blerjeve të resurseve, nënkupton se mund të kemi edhe një operator të tretë të telefonisë mobile.

“Në qoftë se e fiton të drejtën e blerjes së resurseve paguan çmimin dhe i ka atributet që i kërkon gara si kritere, atëherë praktikisht çka nënkupton kjo është se mund të kemi edhe një operator të rrjetit, operatorë të tretë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhës kjo është garë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë diskriminime edhe për operatorët serbë. Ai ka thënë se ARKEP e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës gjatë procesit të dialogut me këshillëdhënie në zbatim të ligjit, ndërkohë kujton se tash e 15 vite sektori i telekomunikacionit është penguar në zhvillim normal, kryesisht si pasojë e operimeve të paautorizuara të operatorëve serbë.

Hoxha ka thënë se marrëveshja e shtatorit 2013 për telekomunikacion parasheh rrugën dhe modalitetet se si të ndalohen këto operime të paautorizuara dhe ilegale. Dhe një pikë e veçantë e kësaj marrëveshje parasheh edhe afatet kohore deri kur nuk mund të organizohet tender apo ankand ndërkombëtar.

“Ne e kemi hap procesin dhe e kemi kualifikuar një aplikacion si të rregullt dhe brenda 42 ditëve duhet të marrim vendim për çmimin…kriteret tjera janë të vendosura. Do të vendosim për çmimin dhe do të vendosim për modelin e garës. Tender ose ankand, në qoftë se shkohet me tender atëherë rregullat i përcakton Qeveria dhe ne i zbatojmë, kështu e përcakton ligji. Ndërkohë nëse shkohet me ankand atëherë rregullat dhe procedurat i administron ekskluzivisht Autoriteti”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se këto vendime, që janë marrë dhe do të merren, janë të ligjshme, ani pse anëtarëve të Bordit ju ka skaduar mandati ligjor.