Hapet festivali folklorik në Gjirokastër

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në çeljen e festivalit folklorik të Gjirokastrës “Argjirofest-on” 2015. Gjatë fjalës së tij në këtë event, kryeministri e cilësoi Gjirokastrën si djepin e gurtë të Shqipërisë, që do të ofrojë folklorin tonë për qindra mijëra persona.

Rama tha se, “një festival folklorik na mundëson të ndjehemi pjesë e kësaj pafundësie kohore, teksa shohim si në një pasqyrë të stërmadhe shpirtin e popullit të cilit i përkasim”.

“Prej këtij thelbi u ngjizën dhe këtij thelbi i mbeten të devotshëm, Rilindasit tanë të mëdhenj, që e ndjenë se gjithçka që do t’u fliste dhe do t’u këndonte shqip shqiptarëve ishte brendësuar të Folklori i tyre, i trashëguar me fanatizëm, me përkushtim njerëzor dhe me një zell artistik të përcjellë brez pas brezi. Ashtu siç u kishte trashëguar tokën bijve të vet, kombi u kish mëkuar edhe kujtesën e tij.

Jo vetëm përmes datash e dokumentesh që i flasin mendjes, por për së pari përmes ligjërimesh, tingujsh, formash e ngjyrash, që i bëjnë hyzmet jetës së shpirtit, kujtesë urtësie e mençurie dhe mbi të gjitha, kujtesë gjenetikisht estetike. I qenësishëm dhe i përkorë, mbizotërimi i bukurive të shpirtit në Folklor u bë për Rilindasit, fytyra e re shpirtërore e kombit, modeli estetik dhe konceptual mbi të cilin veprat e tyre madhore u ngritën si kolonat e reja të një kulture të lirë e moderne. Të dala natyrshëm nga themelet e thella të krijimit popullor, si thesar dhe dokument absolut i shqiptarësisë sonë, ato vepra u bënë ndriçim dhe shpëtim kombëtar në kohëra të zymta sterrë për shqiptarët.

Kjo skenë, ky festival, me emrin e bukur “Argjiro Fest-on” është sot për ne një “trashëgimi” që shpaloset po mbi një “Trashëgimi”. Është festa jonë e bukur dhe e madhe e së bukurës mbarëshqiptare, me grupe që vijnë nga çdo trevë e hapësirë ku këndohet shqip, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, por edhe arvanitas e arbëreshë, edhe shqiptarë të Turqisë e shqiptarë të Zvicrës, sepse e tillë është harta e madhe e shpirtit të këtij kombit të vogël që diti të jetojë me këngën dhe gjuhën e vet, përtej çdo hartografie historike e politike. “Kangë e gjeta e kangë e kndova”,  thotë vargu brilant i Kangëve të Kreshnikëve”, u shpreh Rama.;

- Advertisement -

MË TË FUNDIT