Debate dhe ide të shumta ka ngjallur diskutimi publik lidhur me “Hamamin e madh të Prishtinës”.
Ndonëse restaurimi i këtij objekti kishte për qëllim shndërrimin e hamamit në një qendër funksionale që do të shërbente për aktivitete kulturore, restaurimi në tri faza, ishte manifestuar me lëshime të shumta joprofesionale, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme njërit ndër objekteve më të rëndësishme trashëgimore të Komunës së Prishtinës.
Sipas panelistëve të pranishëm, ndonëse fillimi i projektit ka pasur një ecuri të mbarë, duke u përfshirë të gjitha institucionet relevante dhe ekspertë të fushës, megjithatë sipas panelistëve, me kalimin e kohës u devijua ky projekt.
Si e domosdoshme dhe urgjente u konsiderua ideja që sa më shpejt të krijohet një komision gjithëpërfshirës, i cili do ta analizonte situatën dhe do të përpilonte hapat e mëtutjeshëm.
Shqipe Nixha, nga Universiteti i Prishtinës tha se një monument kur shkatërrohet është e vështirë të kthehet në gjendjen e mëparshme, ndërsa Burbuqe Bakija Deva, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës tha se punimet e deritanishme në Hamamin e Prishtinës janë shembull konkret se si nuk duhet të veprohet me objektet e trashëgimisë kulturore.
Sali Shoshi nga CHwb, ka thënë se arsyet e tërheqjes së tyre nga projekti në vitin 2009 ishin për shkak të intervenimeve joprofesionale nga ana e kompanisë së përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës, e cila e kishte devijuar planin e miratuar nga Bordi dhe IMMK.
Shoshi madje akuzoi për neglizhencë të gjitha institucionet relevante, pasi që siç u shpreh, kishin raportuar menjëherë për devijimet e planit, por këto nuk ishin marrë parasysh.
“Ka qenë konflikti në mes të projektit dhe interpretimit që është bërë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në lidhje me projektin dhe është kontestuar pikërisht pjesa që përfshin tullat këndore në kupolën e hamamit, e po ashtu shkak ka qenë edhe muri i cili është shtuar pas vitit 1912 dhe është kërkuar në vazhdimësi që të hiqet ai mur.”
“Në ndërkohë që projekti ka qenë i aprovuar nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe tendenca ka qenë që të vazhdohet me atë projekt”, tha drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu, i cili shtoi se punët janë ndërprerë në momentin që ka filluar të përdoret çimentoja për mbulimin e kupolave.
Aliu tha se tani ndodhemi në një fazë kur duhet saktë të përcaktohet se çfarë dhe si do të intervenohet, çfarë do të hiqet nga shtresat aktuale të hamamit që janë vendosur, nëse duhet të kthehemi që në fazën e parë dhe të injorohen krejtësisht faza e dytë dhe e tretë e punimeve që janë bërë nga viti 2009 apo do të duhej të formohej një komision që do të vendoste se deri në cilën pikë mund të kthehemi prapa me këtë projekt.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, falënderoi panelistët dhe të pranishmit për pjesëmarrje.
“Qëllimi i organizimit të këtij debati publik është dëshira që të ecim para në funksionalizimin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit.”
“Ndoshta kjo e ka një simbolikë dhe është një hap i radhës që duam ta bëjmë për shkak se duhet të ecim me hapa shumë të shpejtë në përgjithësi lidhur me punët që duam t’i bëjmë me trashëgiminë kulturore në Prishtinë, e që kanë të bëjnë natyrisht me disa institucione që ndodhen edhe në zonën historike të Prishtinës, por të diskutojmë edhe për pjesët tjera të trashëgimisë kulturore të Prishtinës, për karakterin identitar të disa ndërtesave, me ç’rast jo vetëm do t’i ruanim këto ndërtesa, por edhe do të promovonim turizmin në qytetin tonë, ngaqë kemi çfarë të ofrojmë si Komunë për të gjithë ata vizitorë të cilët janë të interesuar monumentet kulturore të Prishtinës”, tha Ahmeti.
Ahmeti foli edhe për mundësinë që disa prej fabrikave të vjetra të shikohet mundësia që të kthehen në institucione për komunitetin , qoftë si galeri të artave apo edhe si muze për destinacione të ndryshme.
Pjesë e panelit të diskutimit publik për “Hamamin e madh të Prishtinës” ishin Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, Liburn Aliu, Drejtor i DUNMM – së, Saranda Bogujevci, Drejtore e DKRS – së, Burbuqe Bakija Deva, MKRS Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, Gjejlane Hoxha, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Mustafa Pehlivanoglu, MP Tasarim, Stamboll, Turqi
Sule Diren, MP Tasarim, Stamboll, Turqi, Sali Shoshi, CHwB, Shqipe Nixha, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Valter Shtylla dhe Valbona Saliuka, IKMM.