Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, i cili është edhe kandidat për deputet, ka rrëfyer për të pjesën e para luftës dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Haliti ka thënë se ka qenë kohë e vështirë, pasi shumëherë ka hasur në sfida të cilat ia ka dalë.

Ai ka treguar se është burgosur shumë herë dhe gjatë atyre viteve, ka qenë i kërkuar nga Interpoli, për ta kthyer në Kosovë.

“Unë jam burgosur shumë herë, në Itali, Gjermani, me kërkesë të Jugosllavisë që t’me kthejnë në Kosovë, përmes Interpolit. Kanë ndërhyrë Komisariati i Lartë për Refugjatë, po ashtu ka ndërhyrë qeveria zvicerane dhe me kanë liruar”, tha ai në KojshiaShow.

Haliti rrëfen se, përkundër vështirësive, kanë arritur të organizohen dhe t’i dalin ballë okupatorit serb.

“Në kushtet tona, një grusht të rinjsh me marrë përsipër me luftu, me ja kthy pushkën një shteti shumë të organizuar dhe të fuqishëm, mendoj që ka qenë aventurë. Por me kohën me organizimin tonë me angazhimin që kemi bërë edhe në planin politik dhe diplomatik, i ka dalë mirë edhe Kosovës edhe gjithë atyre që jetojnë. E dimë që e kanë pësuar një pjesë e madhe e qytetarëve…..”, shprehet ai.

Ai ka treguar edhe për atentatet që kanë ndodhur ndaj tij.

“Janë dy gjëra…., ka pasë xhelozi dhe ka pasur angazhime të shërbimeve serbe për t’më likuiduar. S’kam qenë i vetmi. Kam pas raste që ma kanë minuar shtëpinë, më kanë gjuajtur që t’me vrasin në Prishtinë, kanë organizuar që t’më kidnapojnë në Itali”, ka thënë Haliti.