Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë me autoritetet e shtetit të Holandës për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.
Kështu ka thënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, sot në Kryesi të Kuvendit.
Haliti para gazetarëve ka thënë se formimi i kësaj gjykate, që pritet ta ketë selinë në Holandë, autoritetet kosovare do të bisedojnë me Brukselin zyrtar.
“Unë besoj që institucionet e Kosovës nuk bisedojnë me Holandën, pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese të statutit që duhet ta ketë Gjykata. Brukseli merret vesh me Holandën, jo Parlamenti i Kosovës, besoj që kështu duhet të jetë”, tha Haliti.
E sa i përket çështjes së interpelancës së kryeministrit Mustafa e kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës, lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, ai tha se kjo është shtyrë për javën e ardhshme.
Ndërkaq shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka kritikuar kryeministrin Mustafa, për mos dërgim të planit të punës së Qeverisë për deputetët e Kuvendit.
Ajo është shprehur se kryeministri nuk ka çka të deklarojë për punën e tij, por siç ka thënë ajo është rregull që puna 100 ditëshe e ç’do qeverie, të diskutohet në Kuvend.
“Nesër bëhen 100 ditë të qeverisë Mustafa- Thaçi dhe po ashtu është jashtë ç’do rregulle të deritanishme që nuk do të jetë në seancën e radhës për të dorëzuar planin e punës”.
“Ne e dimë se plani i punës do të jetë krejt i bardh, sepse nuk ka pasur asnjë paraqitje të performancës. Në këto 100 ditë ka pasur menaxhim të krizave të shkaktuara nga vet ai, mirëpo e do rendi që kryeministri të ballafaqohet për 100 ditshin e punës me deputetët ne seancë”, është shprehur ajo.
- Advertisement -